Tmerri i dhunës seksuale për këtë grua nuk ka përfunduar as pas 20 viteve, pasi ajo jeton në të njëjtën shtëpi ku u dhunua së bashku me vajzën e saj.
“Ne ishim në komshijë, shkonim natën edhe flinim atje se këtu kanë qenë serbët, në anët tona e nuk guxonim të rrinim. Natën shkonim atje e në mëngjes vija me çikën e madhe për të mjelë lopët. Edhe ku janë dyert atje, dy palë dyer i kemi patur dhe i kemi. Me çel ato dyer për të hyrë këtu brenda. Kur kemi hyr këtu , duke u ngjitur për të hyrë brenda, nga dyert poshtë kanë hyrë plot serbë, shki, serbë. Edhe ne s’kemi patur nga me ikë se na hynë brenda . Edhe “desti viçi” fjalët “desti tivi le pëtica” . Dhe unë vetëm çikën e kam kapur prej krahu , mos u tut çika ime mos u tut , se çika e re. Ata e kanë kapur dhe e kanë futur në këtë dhomë , në këtë dhomën këtu, ndërsa mua në atë tjetrën. Më rrahin me sheshere , na kanë dhunuar . Çikën këtu se kam ditur çfarë po i bëjnë kurrë gjë . Edhe mua kanë dhunuar, më ka rënë si mundim e skam ndier gjë , vetëm dëgjoja ata të tjerët duke folur këtu në korridor, dhe kanë dalë. Kur kanë dalë , kanë shkuar vetëm fjalët serbe kanë folë “viste lë pëtica”….”, rrëfen gruaja.
Nëna është dhunuar nga ushtarët serbë, në njërën nga dhomat e shtëpisë ndërsa në dhomën tjetër është përdhunuar vajza e saj. Dëshmitarë të vuajtjeve të tyre janë këta mure që duket se rënkojnë prej dhimbjes.
“Çika ime , kur kam ardhur unë këtu e kam shtyrë derën e kam parë të shtrirë në tokë të mbuluar me gjak, rrobat krejt ja kishin shqyer asaj. Edhe jam afruar e kam puthur i kam thënë çohu çika ime , çohu se serbët ikën dhe unë vrap për me i dhënë ujë . Dola për me marrë ujë, dhe më nuk u dëgjuan ata serbët , serbët sndiheshin hiç, humbën ata u zhdukën”, tregon gruaja.
Problemi më i madh ishte përballja me njerzit e tjerë ku grumbulloheshin për të kaluar natën. Ajo sdo të donte kurrë të paranonte para tyre, sesi i kanë dhunuar vajzën.
“E marr çikën e ja laj sytë e pushojmë një herë këtu . Rri i thash se do dal të shoh një herë në oborr , kur dal s’ka, kërrkush nuk është . Për vete skisha gale se unë vetë isha grua e martuar por çikën…Tani e kam marrë e kam vesh e nga darka dalë e ngadalë kemi shkuar atje përmbi livadh të shkollës. Jemi ulur e kemi ndenjur edhe aty , edhe kemi shkuar lartë atje ku rrishim. Çfarë ka ndodhur ? Çfarë ka ndodhur? Asgjë, çika është sëmurë, i kanë ardhur ato, menstruacionet , se kësaj kur i vijnë kështu e mundojnë , ligështohet e krejt….”, tregon gruaja.
Gjatë kohës së përdhunimit gruaja ka qënë shtatzënë dhe për shkak të dhunës seksuale ka humbur fëmijën. Por fatkeqësia është edhe më e madhe pasi ajo nuk mund të mbetej më shtatzënë.
“Tre muaj unë i kam pasur , i kam bërë tre muaj dhe kam qënë duke hyrë në të katërtin e kam qit prej asaj … Po që atë ditë , atë ditë . Jo skam mundur më të mbetem , se unë skam patur ku me shku atëhere për tu pastruar pasi ndodhi ajo punë. S’kishte mjekë, s’kishte asgjë. Tani kam mbetur ashtu keq, s’kam mundur me mbet më shtatzënë. Prej asaj dite që e kam humbur atë fëmijë, s’kam mbetur më, më shumë kam qenë sëmurë . Për një kohë shumë të gjatë nuk jam bërë mirë më as prej shëndetit …”, tregon gruaja.
Vazhdimi i jetës për të ka qënë shumë i vështirë. Në këtë shtëpi duket sikur muret oshëtin dhe tregojnë tmerrin që kanë jetuar nëna me vajzën e saj.
Gjurmët e plumbave janë ende në dyer dhe në mure.
“Kjo është shtëpia, çikën e kanë munduar, na kanë gjuajtur me automat, e kemi shtëpinë atje , birra është e madhe. Këtu i ka rënë derës automati, plumbat , e kanë shpuar dhe derën atje të kuzhinës, na kanë quajtuar atje para shkallëve krejt muri ëshët i shpuar që na kanë gjuajtur. Burrin tim më shumë e kanë munduar se ëshët prej Ulpianës”, tregon gruaja.
Ajo e ka fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale por për të nuk është asgjë në krahasim me tmerin që ajo ka jetuar.
“Si të themi ajo mirë është . Por kur mendojmë se çfarë na kanë bërë ?! Ne sdimë si të gëzojmë , është një farë …por jo si ne të gëzojmë … Po qysh nuk dojna me i dënu ata?! Me i dënuar me burg është pak por ne kënaqemi mos të jetojnë ata … çfarë na kanë bërë ne hejjj”, tregon gruaja.
Top Channel