Hapat e njerëzve përzihen me kërcitjet e karrocës me rrota që shtyn Fatbardha. Në të ka të ëmën, Merjemen 56-vjeçare.

Na bëjnë përshtypje nënë e bijë dhe tabela që ajo mban në duar. “Ju lutem më ndihmoni për një operacion për nënën time”, shkruhet në tabelë.

“Kam bërë një operacion nga këmba, se jam rrëzuar dhe kam vënë një protezë në këmbën e majtë. Kam dy vite e gjysmë që jam operuar dhe dua të bëj një tjetër ndërhyrje në këmbën e djathtë. Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tek Trauma, nuk ka proteza më thonë”, shprehet Merjeme Allko.

Kanë mbi një vit që enden nënë e bijë institucioneve. Prej pak ditëve kanë dalë nëpër qytet. Fatbardha një studente e shkëlqyer për Financë shoqëron gjithë kohën nënën që qëndron e ulur prej 6 muajve në karrocë, pasi gjendja sa vjen e keqësohet. Me monedhat e rreshtuara në tabelën e improvizuar, ajo tregon se nuk e përballojnë dot blerjen e një protezë.

“Nga sa kemi pyetur nëpër farmacitë private, proteza kushton 8500 euro”, tregon Fatbardha Allko.

Fatbardha e rritur jetime, thotë se për të nëna ka qenë edhe baba. Të dyja jetojnë prej gati një vit e gjysmë në Tiranë, për shkak se këtu studion Fatbardha.

“Ne banojmë tek spitali “Nënë Tereza, por sot erdhëm në këtë zonë, pasi unë kam një provim të mbartur”, tha Fatbardha.

Nënë e bijë mbahen me pensionin e invaliditetit që merr Merjemja.

“Të paktën do bëj diçka për nënën, pasi unë vetëm atë kam”, rrëfehet e reja.

“Nga kush do pres”, thotë Merjemja, “shteti nuk bën asgjë. 100 mijë lekë marr nga shteti, çfarë do të bëj me to.”

Ndëkohë e bija shprehet:

“Jam pa shtëpi. Ndihmojmë njëra tjetrën, është reciporoke. Dikur më ndihmoi nëna mua, tani po e ndihmoj edhe unë pakëz. Pa nënën nuk bëj dot.”

Ndërkohë që pak metra më larg moshatarët e Fatbardhës po angazhohen me provimet e vjeshtës apo të çlirët mbushin kafenetë, 20-vjeçarja tregon se nuk ndihet aspak në siklet.

“Po më ndodh e kundërta, sepse njerëzit po na ndihmojnë, dhe për këtë ju jam mirënjohëse”, tregon Fatbardha e përlotur.

 

 

Top Channel