Të hënën që vjen nis proçesi mësimor në të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar dhe për këtë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të zhvillojë një aksion pastrimi, në 14 shtator, ndërkohë që mblodhi të gjithë drejtuesit e shkollave, të cilëve i kërkoi të kujdesen për ambientet brenda tyre.

“Të shtunën kemi shpallur një ditë masive pastrimi. Të gjithë mund të japim një dorë. Bashkia do mbulojë pjesën e Fushës së Aviacionit. Në këtë qytet nuk ka fëmijë që ndot, madje ata këmbëngulin që plehrat të hidhen në vendin e duhur. Ky është i vetmi qytet ku nuk u themi fëmijëve mësoni nga prindërit, por u themi prindërve mësoni nga fëmijët”, u shpreh Veliaj.

Takimi u zhvillua në ambinetet e shkollës 9 vjecare, “Dhora Leka”, e cila sapo është rikonstruktuar.

“Më vjen mirë që kemi një palestër të re, kemi transformuar gjithë hapësirat e tjera, si jashtë, ashtu dhe brenda shkollës. Njësoj si efekt domino, njëra pas tjetrës, nëse nuk kemi mbërritur ende tek shkolla juaj, është vetëm çështje kohe. Tre-katër vjet më parë ishte siklet se nuk kishim prekur shumicën e shkollave, kurse tani i kap me gishtat e dorës ato shkolla që ende kanë nevojë për një ndërhyrje, ku sigurisht nuk do të vonojë”, shton Veliaj.

Veliaj iu kërkojë prindërve të regjistrojnë fëmijët në shkollat pranë banesës së tyre në mënyrë që të reduktohet trafiku në kryeqytet. Me fillimin e vitit të ri shkollor do të ketë polic bashkiak para shkollave në mënyrë që të ndihmojnë të vegjlit për të kaluar tek vijat e bardha.

Top Channel