Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se ka qenë i dëbuar/dënuar në Itali dhe Maqedoninë e Veriut. “Jam i pastër”, deklaron kryebashkiaku socialist.

Ai thekson se ndaj tij nuk ka patur asnjë proces gjyqësor dhe madje nuk ka marrë asnjë gjobë makine.

“E them me përgjegjësi të plotë që nuk jam dënuar ndonjëherë. Këto janë trillime, nuk ka asgjë të vërtetë në ato akuza. Kam qenë emigrant dhe kam punuar ndershmërisht e me djersë. Si emigrant kam jetuar për 5 vite në Itali, në Siçili. Fillimisht kam punuar në një fabrikë peshku, pastaj punë të dytë në një hotel. U ktheva në Shqipëri kur hapa fabrikën e peshkut, kam punuar ndershmërisht. Sot nuk kam asnjë gjobë makine dhe jo më dënim në burgjet e botës”, thotë Babani.

Babani shton: “Kam udhëtuar jo vetëm në Itali, por në të gjithë Europën, rregullisht. Kam biznese e fabrika në Itali, Kroaci e Spanjë. Partia Demokratike thotë se ka dyshime, po të ishte e vërtetë do te kishte fakte, jo dyshime”

Mark Babani është kryebashkiaku i tretë i PS që Partia Demokratike denoncon për probleme me ligjin e dekriminalizimit. I pari ishte Valdrin Pjetri i Shkodrës, i cili u tërhoq nga marrja e detyrës dhe tjetri është Agim Kajmaku i Vorës, që vazhdon të qëndrojë në detyrë duke mohuar akuzat.

  I treti i denoncuar nga PD dhe saga e zgjedhjeve të Vaut të Dejës

Top Channel