Andi Lila, një prej protagonistëve të ekipit kombëtar që u kualifikua në Kampionatin Evropian të vitit 2016, denoncoi dje në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, heqjen e pasaportave diplomatike për lojtarët shqiptarë.
Pasaportat iu dhanë futbollistëve që morën pjesë në Evropian, për arritjen historike dhe promovimin që i bënë vendit, por ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka marrë vendimin për heqjen e tyre.
“Sot, ministri i ri që vjen, pas tre vitesh, na hoqi pasaportat diplomatike. Kjo është një dekorim-zhdekorim. Kryeministri Rama na dekoroi, vjen një djalë i ri nga Kosova dhe na zhdekoron, e s’na thotë asgjë”, u shpreh Lila në emision.
Pas këtij denoncimi kanë nisur edhe reagimet.
Ish-kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili e konsideron turp dhe marrëzi heqjen e pasaportave diplomatike.
“Heqja e pasaportave diplomatike për heronjtë Kombëtares Kuq e Zi turp dhe marrëzi! Nuk kanë nevojë djemtë e shkelqyer të Kombëtares për pasaportat diplomatike, por ka nevojë shteti për t’i dhënë vlerë asaj pasaporte. Andi Lila me shokë ju jeni heronjtë tanë që mbrojtët simbolet në mes të Beogradit. Dhe ky Edi Rama që i jargavitej Kombëtares kur kualifikohej në Europian që të rrëmbente ndonjë llokme lavdie. Turp e faqe e zezë. P.S Nuk besoj se ky Edi Rama do të ketë fytyre t’i afrohet më Kombetares, pas këtij turpi që nuk shlyhet dot kurrë”, deklaron Vasili.
Top Channel