I ftuar sot në emisionin “Top Talk”, gjatë analizimit të seancës dëgjimore së presidentit Ilir Meta në Komisionin Hetimor, publicisti dhe analisti Frok Çupi u shpreh ndër të tjera se Ilir Meta gjendet i rrethuar nga përgjegjësia morale dhe penale me anulimin e zgjedhjeve.

“Mendoj që mënyra që zgjodhi Ilir Meta për të marrë përsipër rolin e Amerikës, atë që kishte bërë Amerika, për ta përvetësuar është qesharake, nuk ndodh që Amerika të pranojë që shpëtimtar ishte Ilir Meta. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryetarin e PD-së dhe kryetaren e LSI-së për akte terroriste në Shqipëri. Ilir Meta duke dashur të shpëtoje veten prej kësaj gjëje, ndoshta në panik , ndoshta i zënë në grackën e veprimeve të tij , që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe shpalli një datë tjetër , e ngarkoi veten me një përgjegjësi të madhe morale dhe ligjore. Tani Presidenti i Republikës  ka krijuar me sinjalin e tij një panik të përhershëm në Shqipëri, dhe në çdo moment ne mund të jemi të rrezikuar nag terrorizmi i brendshëm, kështu që tani presidenti është i detyruar ligjërisht , nëse komisioni parlamentar qe i pazoti për ta zbardhur këtë gjë, ai është i detyruar  të dëshmojë para prokurorisë, para publikut, cilët janë terroristët, kush janë kryesuesit e terroristëve, si u çmontua terrorizmi më datë 8, si u çmontua pa asnjë forcë; pa Amerikën, pa qeverinë, pa Këshillin e Sigurimit.  Po kështu Ilir Meta duhet të shpjegojë se nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet më 13 tetor, ku i kishte siguritë presidenti se sërish s’do kishte akte terrorizmi?  Cilët janë terroristët, cilës palë i takojnë?” tha Çupi.

I pyetur nëse e gjen aktualisht Metën si një person me probleme penale, analisti deklaroi:

“I gjithë hetimi i sotëm është një hetim që merr rRugë penale në fund. Rruga e Ilir Metës është shkarkimi, nuk ka ku shkon, nuk ka asnjë rrugë kthimi, e vetmja rrugë kthimi  e Ilir Metës është kthimi i butë  sot e nisi, për t’u kthyer politikisht, për t’u kthyer në parlament si deputet. Tenton që të kthehet nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë. Akti penal që atij iu shfaq dhe përsëri u tërhoq është ky: që nga data 10 qershor, ku ai ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, me pretekstin e qetësimit të situatës janë 17-fishuar krimet elektorale, deri më datën 30.  Kjo është një nga çështjet penale që Ilir Meta duhet të japë shpjegime”, u shpreh ai.

Top Channel