Ende vazhdon të jetë mister se kush po e drejtonte jahtin e gjendur tre ditë më parë në brigjet e Adriatikut, 12 milje larg Shëngjinit.
Nga kontrolli që policia kufitare ushtroi në jaht, gjeti dokumentet e një shtetasi turk i quajtur, Sevgin Yavuz, për të cilin policia dyshon se mund të jetë pronari i mjetit lundrues.
Jahti ishte pikasur nga rojet bregdetare, ndërkaq forcat e policisë kanë nisur hetimet për të gjetur shtetasin turk.
Top Channel është përpjekur të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje.
Nga të dhënat e regjistruara për jahtin ATIK BEY, rezulton se regjistrimi i fundit është bërë në datën 2 shtator, në Budva të Malit të Zi, ndërkohë ky është pozicioni i jahtit, i po asaj date, në orën 17:41 minuta.
Po ashtu është bërë me dije se Sevgin Yavuz ka dalë i vetëm me jaht nga porti i Tivarit.
Po i njëjti jaht, rezulton që javën e fundit të gushtit, të ketë lundruar në ujërat e Kroacisë. Këto janë destinacionet e regjistruara nga Vessel Finder, rrjeti që merret me monitorimin e mjeteve lundruese.
Top Channel ka mësuar se jahti me emrin ATIK BEY, i modelit Foundain Pajot, Saona 47, rezulton në fotot e një kompanie turke e quajtur Tur-Marin, e cila e ka shitur vitin e kaluar tek një biznesmen i njohur turk, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga kompania.
Po me të njëjtin jaht ,është postuar një video nga kompania Tur Marin në datën 2 qershor, e specifikuar që jahti është ATIK BEY, që tashmë ndodhet i ankoruar në portin e Shëngjinit.
Hetimet për këtë çështje, po kryhen nga policia turke dhe ajo shqiptare në bashkëpunim me Interpol Tirana. Drejtimin e hetimeve e ka në dorë prokuroria e Lezhës, ndërsa pritet përgjigje edhe nga autoritetet e Ankarasë, pas sinjalizimit për humbjen e shtetasit turk.
Andi Bora
Në kërkim të biznesmenit turk/ Jahti i tij luksoz braktiset në Shëngjin, asnjë gjurmë nga milioneri
Top Channel