“Nuk i kemi gjetur adresën”, PD akuza Prokurorisë për Kajmakun: Përgënjeshtroheni nga Posta Shqiptare

07/09/2019 11:40

Partia Demokratike akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se ka shkelur të gjitha procedurat sa i përket çështjes së Agim Kajmakut, madje edhe ka gënjyer. Në reagimin e disa ditëve më parë, Prokuroria njoftoi se Kajmakut nuk i ishin marrë shenjat e gishtave, për të provuar ose jo dosjen penale të hapur në Greqi, për shkak se ishte ngatërruar adresa e shtëpisë së tij.

Por sipas PD-së, është Posta Shqiptare që përgënjeshtron Prokurorinë, pasi më 29 gusht i është dorëzuar në zyrën e bashkisë Vorë njoftimi zyrtar për Kajmakun për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike.

“Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare përse nuk ka zbatuar ligjin për përcaktimin ligjor të dekriminalizmit, që përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, zbatohen ndalimi i ushtrimit të mandatit. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- janë pyetjet konkrete që ngre Partia Demokratike dhe për te cilat prokuroria është e detyruar të përgjigjet”, thuhet në reagimin e PD-së.

Deklarata e plotë

Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, i arrestuar dhe i kërkuar në Greqi me emrin  Jorgo Toto për një krim që dënohet me 10 vjet burg. Duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji, Partia Demokratike kërkon të njihet me çdo veprim të prokurorisë që nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës së verifikimit në 20 Gusht deri në 5 Shtator.

Letra e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje mashtrimin publik të prokurorisë për pretendimin se Agim Kajmaku nuk ka dorëzuar akoma gjurmët e gishtërinjve, përtej afatit 5 ditor të përcaktuar nga ligji, sepse, siç u shpreh prokuroria, “shërbimi postar ka ngatërruar adresën e tij dhe ende nuk ka dorëzuar shkresën.” Në letër theksohet përgënjeshtrimi i ardhur nga Posta Shqiptare, e cila konfirmoi se dokumenti i prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë, fakt ky që, siç deklaroi Posta, vërtetohet lehtësisht në dy mënyra:

1.Sistemin e dërgesave nga bar kodi përkatës.

2.Prova e dorëzimit e firmosur nga sekretaria e Bashkisë Vorë”.

Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019. “Çuditërisht,  nga ana juaj më datë 4 Shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky në fakt duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD për të marrë të gjithë dokumentacionin me veprimet e Prokurorisë për këtë çështje.

Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare përse nuk ka zbatuar ligjin për përcaktimin ligjor të dekriminalizmit, që përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, zbatohen ndalimi i ushtrimit të mandatit. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- janë pyetjet konkrete që ngre Partia Demokratike dhe për te cilat prokuroria është e detyruar të përgjigjet.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi shpreh bindjen e forcës më të madhe të opozitës se “çdo shkelje e ligjit nga ana e organit të prokurorisë mbi këtë çështje, do të evidentonte edhe më shumë faktin që sot Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e shtetases Arta Marku, është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit. Ju, sipas urdhrit të Edi Ramës, mund ta zvarrisni, pengoni apo tentoni ta manipuloni të vërtetën, por ju kurrsesi nuk do mund të pengoni që ajo të dal qartë dhe në mënyrë të pakontestueshme përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë!- thuhet në kërkesën e Partisë Demokratike për të zbardhur veprimet e prokurorisë për çështjen e Agim Kajmakut, i cili ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit faktin se është arrestuar në Greqi dhe është akoma në kërkim atje për një krim që dënohet me 10 vjet burg.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA