Pas deklaratës për shtyp të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mbi raportin OSBE/ODIHR, ka reaguar Partia Demokratike, ku përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka hedhur poshtë deklaratën e Cakajt, sipas të cilit raporti në fjalë e vlerësonte procesin zgjedhor në Shqipëri si të lirë, demokratik dhe të njohur ndërkombëtarisht.

“Të gjitha interpretimet e bëra sot nga zëdhënësi i Edi Ramës, janë citime të gabuara që nuk gjejnë pasqyrim në raport. Në asnjë rresht të këtij raporti, që tashmë është publik, nuk specifikohet që zgjedhjet ishin demokratike, legjitime dhe me standarde ndërkombëtare. Për herë të parë për raportin mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri specifikohet se veprime dhe sjelle të qeverisë, të institucioneve të tjera, prokurorisë, gjykatave kanë qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin”, tha ndër të tjera Bardhi.

Më pas shtoi se nuk mund të jetë kurrsesi përgjegjëse opozita se Komisioni Zgjedhor ka shkelur ligjet e shtetit, s’ka përgjegjësi që gjyqtarët kanë qenë nën presion nga qeveria për shkak të procesit të vettingut, po kështu edhe administrata përsa i përket largimit nga puna apo dëshmitë e qytetarëve rreth presioneve për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike.

Po kështu, Bardhi deklaroi se sipas tij, pavarësisht shkeljeve flagrante të anëtarëve të Komsionit Zgjedhor apo presionit për të marrë pjesë në votime, parë me vetë sytë e vëzhguesve, nuk ka ende asnjë procedim penal.

Përsa i përket mospjesëmarrjes në zgjedhje, sekretari i Përgjithshëm tha:

“Sipas raportit, shqiptarëve nuk iu dha mundësia të zgjidhnin dhe kjo jo se opozita bojkoti zgjedhjet, por se opozitës nuk iu garantuan kushtet, nuk mund te kandidojmë përballë një trafikanti droge në Shkodër. opozita nuk ka përgjegjësi në administrimin e zgjedhjeve”, shtoi Bardhi.

  Ministri Cakaj: Raporti OSBE/ODIHR më shumë kritik për opozitën, me rëndësi rifillimi i një dialogu politik

Top Channel