Fiks Fare udhëtoi drejt Ksamilit në sezonin turistik pas ankesave të shumta të banorëve në lagjen ” Nr. 4″, dhe asaj të “26 Marsi”-it, pasi vuanin mungesën e ujit të pijshëm. Ata kërkuan ndihmën e Fiksit për të zgjidhur problemet, pasi çdo vit në kulmin e sezonit përsëritet e njëjta situatë.

Banorët e lagjes “Nr 4” treguan për kamerën e Fiksit se luhatjet e shpeshta të energjisë elektrike u kishin sjellë dëme të mëdha në pajisjet elektroshtëpiake. Kostos materiale përveç këtyre dëmeve u shtohej edhe largimi i pushuesve nga dhomat e plazhit apo hotelet në këtë zonë. Sezoni turistik është mundësia e vetme për të fituar të ardhura në familjet e tyre. Banorët ankohen se kjo situatë vazhdon më shumë se 6 vjet dhe nuk po marrin një zgjidhje. e gjitha ndodh për shkak të mungesës së një kabine elektrike.

Fiksi iu drejtua OSHEE-së, në drejtorinë Rajonale Gjirokastër . Drejtori rajonal Robert Lili tha për Fiksin se fillimisht është investuar me një kabinë sezonale, por që nuk solli përmirësim të situatës për shkak të ngarkesës së madhe. “Sezon turistik ka sjellë një rritje të konsumit të energjisë elektrike më shumë se sezoni i kaluar. OSHEE ka projektuar e miratuar një investim të ri me një kabinë 20 voltësh, e cila së shpejti do të vihet në punë dhe do të bëj të mundur përmirësim në rrjet dhe do të sjellë zgjidhje përfundimtare për Ksamilin” tha z. Lili.

E ndryshme është problematika në lagjen ” 26 Marsi”. Prej ditësh banorët e kësaj lagjeje vuan mungesën e ujit në banesa. Ata tregojnë se uji u vinte shumë pak minuta në orën 5 të mëngjesit, dhe kjo mundësohej nga botet që furnizonin lagjen nga bashkia. nuk mungonin dhe ditën që nuk furnizoheshin fare me ujë. Uji i ujësjellësit nuk arrinte të furnizonte këtë lagje për shkak të pozicionit gjeografik mbi kodër. Banorët thonë se mungesa e ujit ka bërë që ata të mos kenë as turistë.

Pretendimi i banorëve është se ndërtimi i një depozite në afërsi të lagjes do t’i jepte fund problemit të furnizimit me ujë.Fiks Fare u interesua në UK Ksamil, ku përgjegjësi i kësaj njësie Z. Vangjel Dhima pranoi situatën e vështirë. Mos furnizimi me ujë i kësaj lagje sipas z. Dhima ishte edhe problemet në rrjetin elektrik, kështu që për furnizimin e saj janë gjetur alternativa të tjera, si ajo e furnizimit me bote.

“Kjo lagje edhe në dimër nuk furnizohet në mënyrë të pandërprerë me ujë. Ndërtimi i një depo vetëm për këtë lagje do zgjidhte problemin në mënyrë definitive” shprehet përgjegjësi i UK Ksamil.

Top Channel