OSBE ODIHR publikoi raportin final të zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe problematikën e shfaqur në një dokument me 34 faqe. “Zgjedhjet lokale të 30 qershorit u mbajtën me pak kujdes për interesat e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, dhe qeveria vendosi të mbajë zgjedhje pa të.

Në klimën e një bllokimi politik dhe të polarizimit, votuesit nuk kishin zgjedhje kuptimplota midis opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki kandidatët për kryetarë garuan pa kundërshtarë. Kishte pretendime të besueshme për qytetarët që po bënin presion nga të dy palët.

Konfrontimi politik çoi në pasiguri ligjore, dhe u morën shumë vendime të administratës zgjedhore me objektiv politik për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve. Votimi u zhvillua në përgjithësi në mënyrë paqësore dhe të rregullt dhe numërimi u vlerësua pozitivisht në përgjithësi, megjithëse disa nga procedurat nuk janë ndjekur gjithmonë si duhet ”, thuhet në raport.

OSBE/ODHIR vlerëson se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, megjithë tensionet dhe përplasjet e izoluara nga në një numër i vogël. Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shenjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit.

Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë. Në listë janë nënshkrime identike për llogari të disa personave, apo mos shënjimi me bojë, ngre dyshimin e madh se numri i votuesve është rritur artificialisht, nëpërmjet votimit të një personi në emër të disa të tjerëve”.

“Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të shfaqur preferencat e tyre politike” – theksoi raporti.

OSBE/ODHIR ofron rekomandime për të mbështetur përpjekjet për të çuar më tej proçesin zgjedhor në Shqipëri në përputhje me angazhimet e organizatës dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike.

Rekomandimet kanë të bëjnë me angazhimin e palëve ne një dialog gjithëpërfshirës mbi reformën zgjedhore, garantimin e të drejtës së zgjedhësve për zgjedhje të lira, eleminimin e problemit të gjatë të keqpërdorimit të burimeve administrative, forcimin e pavarësisë dhe paanshmërisë të administratës zgjedhore dhe gjyqësorit dhe hetime efektive të shkeljeve elektorale.

OSBE kërkon që autoritetet dhe partitë politike duhet të marrin masa për të eliminuar problemin e keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë dhe midis zgjedhjeve si edhe të ndërmerren hapa që votuesit të mos kenë presion për të marrë pjesë në mitingje, apo që të votojnë për një parti specifike.

Po ashhtu kërkohet garantimi i fshehtësisë së votës, formulë alternative e emërimit të anëtarëve të administratës zgjedhore, në mënyrë që të rritet besimi në publik, si edhe pavarësia dhe paanshmëria e KQZ-s dhe gjyqësorit.

Institucioneve ligjzbatuese u kërkohet që të hetojnë në mënyrë të kujdesshme, të shpejtë e transparente, të gjitha pretendimet për shkelje të ligjeve zgjedhore.”

Qeveria duhet të krijojë një proçedurë që t’u japë mundësinë punonjësve të administratës publike që të raportojnë presione politike që mund t’u jenë bërë në lidhje me vendet e punës. Këta persona duhet të kenë mbrojtje të plotë të garantuar nga ligji”, thuhet në dokument.

Top Channel