Pas tërheqjes së Novak Djokivc të gjithë e menduan të kryer arritjen në finalen e US open të dy tenistëve më të mirë të të gjitha kohërave, Roger Federer dhe Rafael Nadal.
Por Flushing Meadows kishte rezervuar surpriza të tjera, pasi tenisti zviceran u eliminua në çerekfinale nga Grigor Dimitrov në një ndeshje ku te ai ndikuan edhe disa probleme në shpinë. Federer, fituesi i 20 titujve Grand Slam në karrierë u mund nga bullgari me rezultatin 3-2 me Dimitrov që shënoi triumfin e tij të parë në përballjet direkt me Federer.
Kundërshtari i radhës për Dimitrov në gjysmëfinale do të jetë Daniil Medvedev i cili eliminoi një tjetër emër të njohur të tenisit botëror, Stanislav Wawrinkwn me rezultatin 3-1 në 2 orë e 34 minuta lojë. Medvedev fitoi dy setet e parë 7-6;6-3, por Wawrinka shkurtoi diferencën teksa fitoi setin e tretë 6-3. Seti i katërt nuk pati histori me Medvedev që e dominoi atë dhe e fitoi 6-1
Në kampin e femrave, Serena Williams preu biletën për në gjysmëfinale teksa eliminoi kinezen Wang 2-0. Kjo ndeshje u duk sikur ishte thjesht faza e nxemjes për amerikanen që e mbylli atë në vetëm 44 minuta lojë pasi i fitoi setet 6-1 dhe 6-0 duke siguruar pjesëmarrjen e saj të 38 në gjysmëfinale të turneve Grand Slam, ndërkohë që kundërshtarja e radhës e saj do të jetë Elina Svitolina./Klara Asqeriu
Top Channel