Arlind Deveja është një mjek pediatër i diplomuar rishtas. Ai po punon me orë të tejzgjatura në spitalin e Sarandës për të përballuar fluksin e shtuar të të miturve që paraqiten në spital me diagnoza të stinës dhe simptoma të nxitura nga temperaturat e larta.

Shumica e të miturve janë pacientë që po kalojnë pushimet në Sarandë, ndërsa paraqitja në spital është vazhdimisht e vonuar sipas mjekut që përballon të paktën 60 raste emergjence të të miturve çdo ditë.

Edhe në repartin e urgjencës intensiteti është i lartë. Intoksikacionet nga alkooli, ushqimet dhe temperaturat e verës, sjellin në urgjencën e spitalit të Sarandës disa dhjetëra pacientë çdo ditë. Spiro Tralo sapo ka marrë shërbimin 24 orësh. Menjëherë i duhet të trajtojë 3 raste të reja në urgjencë.

Kreu i këtij spitali Tajar Lako thotë se spitalit i mungojnë të paktën 5 mjekë specialistë, përfshi këtu mjekë pediatër, kirurgë të përgjithshëm, kardiologë etj. I gjithë personeli po punon gjatë verës pa ditë pushimi.

Spitali I Sarandës me kapacitet rreth 100 shtretër dhe një xhiro të shtretërve prej 47%  ka mungesë emërimesh të reja prej vitesh. Institucioni përballon çdo verë kapacitet të 5 fishuar të pacientëve që kalojnë pushimet në Sarandë, por vijon të ndjejë mungesën e mjekëve për specialitete si pediatria, kirurgjia e përgjithshme, kardiologjia dhe të tjera. I gjithë fluksi ditor po përballohet aktualisht nga 29 mjekë dhe 86 infermierë. /Kristina Fidhi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA