Ministria e Peleshit pranonte kontrabandën e pesticideve. Ja çfarë ka thënë edhe Shpend Shahini për “Silikon Mix”

04/09/2019 12:27

Top Channel në 11 qershor të vitit 2018 transmetoi kronikë e cila ndodhet edhe në arkivën në Youtube të Top Channel. Top Channel në qershor të vitit 2018 zbuloi dhe denoncoi skandalin e shitjes së pesticideve të jashtëligjshme në farmacitë bujqësore. Një prej tyre ishte edhe Metolim, prodhim kinez që nuk duhej përdorur në asnjë mënyrë në Shqipëri. Por që autoritetet e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar nga Niko Peleshi e lejuan.

Më 11 qershor, përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Ismet Beci, specialist i Mbrojtjes së Bimëve pranë Ministrisë së Bujqësisë, e pranoi se bëhej kontrabandë pesticidesh. Ndërkohë që ne e pyetëm edhe për “Silikon Miks” të cilin e importonin si pleh kimik por që fermerët nuk e hidhin të rrënjët e bimëve për ta ushqyer por te gjethet për të vrarë insektet.

Laborantët e laboratorit Bujqësor të Ministrisë së Bujqësisë, e thanë qartazi pasi verifikuan kimikatin që nuk ishte një pleh. Në një intervistë për Top Channel edhe Shpend Shahini, shef i Departamentit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, shpjegoi se përse fermerët e përdorin “Silikon Miks”, edhe si pesticid kundër insekteve.

Intervista e tij është transmetuar si pjesë e investigimit të Top Channel. Ky investigim në fakt shërbeu pozitivisht në interes publik për shkak se autoritetet reaguan menjëherë duke hequr nga qarkullimi helmet e rrezikshme.

Ndërkohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit duke marrë indicie nga ky investigim i Top Channel dhe ka zbuluar se ish Ministri Niko Peleshi ka shkelur ligjin sepse me një urdhër të tij ka anulluar vendimin e AKU që bllokonte tregtimin e “Silikon Miks” në Shqipëri.

Kjo temë ka shkaktuar mjaft tension edhe pranë ish-ministrit, në një kohë që Prokuroria është e interesuar dhe ka nisur edhe verifikimet për të parë se deri në cilën masë shkon shkelja e ligjit dhe cila është përgjegjësia penale. Specialistët ndërkohë shpjeguan për Top Channel se cilat janë dëmet e “Silikon Miks”. Top Channel ndërkohë do të vijojë në ndjekjen dhe zbardhjen e të vërtetës

Kjo është kronika e transmetuar më 11 Qershor 2018

  Skandali me pesticidet! Ministria pranon që methomyl është kontrabandë

Një javë pasi Top Channel denoncoi përdorimin e pesticideve të rrezikshme, apo të paregjistruar në bujqësi, ka reaguar Ministria e Bujqësisë.

Reagimi erdhi vetëm për kimikatin, “Silikon Miks” për të cilin ministri Peleshi shkruante se ishte pleh, ndërsa fermerët e përdorin si pesticid dhe i kërkonte AKU-t që të mos e pengonte importin.

Ministria e Bujqësisë ngulmoi se “Silicon Miks” nuk është pesticid, por pleh dhe kërkon që për lajme të karakterit teknik të merren informacione pranë institucioneve përkatëse. Ne pyetëm ekspertët e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore.

“Silici nuk futet në listën e plehrave”, na thotë kimistja Miranda Huta.

Ismet Beci, specialist i Mbrojtjes së Bimëve pranë Ministrisë së Bujqësisë është zyrtari i parë i kësaj ministrie që reagon pas denoncimit nga Top Channel të përdorimit të pesticideve të ndaluara.

Gazetarja : “Unë kam siguruar disa pesticide të cilat nuk janë të regjistruar në listën e PMV-ve që miraton Ministria e Bujqësisë një prej tyre është methomyl 90 sp. Këto pesticide i kam blerë në farmacitë bujqësore të vendit tonë. Silicon Mix, ku sipas Qendrës së Transferimit të teknologjive Bujqësore nuk është pleh, pavarësisht se ka etiketën EC FERTILIZER dhe vapcomore. A keni dijeni ju si institucion që këto pesticide tregtohen lirshëm në farmacitë bujqësore? “

Beci: “Produkti i mbrojtjes së bimëve me emrin tregtarë Metanate 90 SP nuk është i regjistruar për t’u tregtuar dhe përdorur në vendin tonë. Kjo sasi që keni gjet në pikat e shitjes për aq kohë sa nuk lejohet, normal që konsiderohet kontrabandë.”

Gazetarja: “Në bazë të përmbatjes ky produkt rezulton pleh. Për sa kohë shkruhet pleh është pleh. “

Gazetarja: “ Autoriteti Kombëtarë Ushqimit e ka bllokuar këtë produkt bujqësor. Ndërkohë Ministria e Bujqësisë ën të ditur që nuk duhet të bllokohet. A keni një fletë analize që ky produkt bujqësorë është pleh dhe jo insekticid? “

Beci: “Për aq kohë që me dokumenta është EC FERTILiZER me fletë analize me certifikatë origjine duhet të konsiderohet si i tillë. “

Gazetarja:“Si e komentoni qendrimin e AKU-së? “

Beci:“Qendrimin më të drejtpërdrejtë mund ta merni tek AKU-ja.

Ne e ripyetëm drejtuesin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që ka bërë ndalimin e kimikatit dhe drejtori Agim Ismaili tha institucioni që drejton ka bërë procedurat ligjore dhe përfundimi është ai që transmetoi Top Channel.

Ndërsa Shpend Shahini, shef i Departamentit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, shpjegon se përse fermerët e përdorin “Silicon Miks”, edhe si pesticid kundër insekteve.

“Duke përdorur silicin, që në vetvete në vrasjen e insektit, nuk ka një vrasje në bazë të mekanizmave të insekticideve të sintetizuara, por një vrasje bazuar në disa elementë të tjerë, duke shfrytëzuar elementet fizike”, thotë ai.

Top Channel