Në ambientet e Pallatit të Kongreseve po zhvillohet testimi për 500 vende të lira në Policinë e Shtetit. Janë 2120 aplikantë që po konkurrojnë për këto vende, ku pas përfundimit të kursit në Akademinë e Sigurisë, do të mund t’i bashkohen patrullës së përgjithshme.

I ndarë në dy faza, testimi filloi rreth orës 9:30 minuta të mëngjesit të së mërkurës, me aplikantët e qarqeve Tiranë, Durrës, Berat dhe Fier, ku më pas në mesditë, hynë në proces testimi aplikantët e qarqeve të tjera.

Mes një gare të fortë, ku janë katër konkurrentë për një vend në Policinë e Shtetit, aplikantët u shprehën se kryesisht kjo kishte qenë një ëndërr e tyre që në fëmijëri.

“Ka qenë një ëndërr e imja që në fëmijëri. E kam pasur dëshirë që e vogël. Kam dashur që në fëmijëri të bëhem pjesë e policisë”, u shprehën aplikantët.

Por, ka edhe nga ata aplikantë që kanë marrë sugjerime nga të afërm të tyre, që janë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.

“Kam një mikun tim dhe e di se çfarë është policia dhe e di se me çfarë kemi të bëjmë”, u shpreh një aplikante.

Pyetjet e provimit u hartuan nga Ministria e Arsimit, me të cilat u testua një nivel i përgjithshëm i dijeve të aplikantëve.

“Pyetje nga gjuha dhe letërsia. Pyetje nga matematika, biologjia, gjuhë dhe letërsia, por edhe shkencat e përgjithshme. Pyetje kryesisht nga gjimnazi”, u shprehën aplikantët.

Ky konkurim, ishte edhe për ata policë aktual të cilët dëshirojnë që të vazhdojnë më tej karrierën e tyre.

“Punoj në burgun e Fierit, IEVP e Fierit dhe dua të lëviz nga andej. Më tepër për karrierë”, thonë një tjetër.

Paralelisht, do të përzgjidhen edhe 100 studentë të cilët kanë mbaruar me rezultate të larta studimet në degët, Ekonomik, Jurdik dhe Teknologji informacioni, aplikime të cilat janë të hapura deri më 15 shtator. Kjo do t’u jap mundësi atyre, që pas përfundimit të Akademisë, të përfshihen menjëherë në strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit, me gradën nënkomisar.

Andi Bora

Top Channel