Fillimisht u fol për disa të zhdukur, por përmasat e fatkeqësisë së një anijeje të shkatërruar nga zjarri pranë brigjeve Kaliforniane, janë më të mëdha se aq: 25 trupa të pajetë janë gjetur deri tani. Rojet bregdetare amerikane thonë se 9 persona të tjerë ende nuk dihet ku janë, ndërsa 5 anëtarë ekuipazhi kanë mbijetuar.
“Im vëlla ka shpëtuar, ka arritur të hidhet nga anija, por nuk di asgjë më shumë. Po pres ta takoj që të mësoj diçka prej tij”, ka thënë vëllai i njërit prej të mbijetuarve.
Zjarri nisi në kohën kur anija ishte ankoruar në afërsi të ishullit Santa Cruz, rreth 145 km në perëndim të Los Angeles.
Shkaku i flakëve që e gllabëruan Conception-in nuk është zbardhur; gjithë çfarë dihet per momentin është se kur shpërtheu zjarri, në bord ndodheshin 39 vetë. Ka raporte se disa prej pasagjerëve mund të kenë mbetur të bllokuar poshtë kuvertës së anijes.
Ata që shpëtuan, kanë qenë duke fjetur në kabinën e madhe lart. Të mbijetuarit kishin arritur të hidheshin në ujë përpara se në ndihmë të Conception-it të mbërrinte një anije tjetër, “The Grape Escape”.
Pronari i kësaj të fundit thotë se flakët kishin pushtuar thuajse çdo pjesë të anijes, duke e shndërruar atë gati në një lëmsh të zjarrtë. Autoritetet mendojnë se mund të kenë pasur ndonjë shpërthim në bord, por kjo do të verifikohet gjatë hetimit. Anija rezulton të ishte në përputhje të plotë me rregullat e sigurisë dhe pa asnjë shkelje.
Top Channel