Vetëm një ditë më parë drejtori i ri i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, pati prezantimin zyrtar. Megjithëse ai ende nuk është njohur në tërësi me funksionimin e këtij institucioni, nuk ngurroi të shprehë pakënaqësinë për lënien në pas dore të kësaj godine në vite.

Gazetarja e Top Channel, Jetona Koçibelli e pyeti zotin Misha se cilat janë emergjencat në Bibliotekën Kombëtare.

“Akoma është i vetmi institucion në Shqipëri që vazhdon të jetë një derë prej duralumini e kohës së komunizmit për 40 vjet. Por ndërkohë është një bibliotekë që ka një pasuri të jashtëzakonshme. Jemi para një momenti që duket se po fillon të realizohet një plan konkret për një bibliotekë të re. Dhe ç’është më e rëndësishme krahas saj një bibliotekë të qytetit”.

Sa i përket vendndodhjes së institucionit të ri ende nuk ka një përcaktim, por e sigurt që Biblioteka e re Kombëtare nuk do të jetë në vendndodhjen aktuale.

“Këtu ku është, është e pamundur të bëhet. Këtu ndoshta mund të bëhet biblioteka e Tiranës, sepse hapësirat janë ato që janë”, tha ai.

Sfida e parë profesionale sipas Mishës është që çdo botim që ka lidhje me Shqipërinë të jetë pjesë e Bibliotekës Kombëtare, një traditë që ky institucion e ka pasur qysh prej themelimit, në 10 korrikut e 1920.

“Paradoksalisht edhe në kohën e komunizmit me gjithë ngushticat dhe kufizimet që kishte ai rrëgjim, kishte një kujdes të madh që çdo libër që botohej dhe që lidhej  me Shqipërinë, me Ballkanin, me Ballkanologjinë, me Bizantin, me Perandorinë Osmane, që shërbente për të ndihmuar historinë e Shqipërisë, përpiqeshin ta blinin. Mund të rezervoheshe, mund të mos i jepej publikut, por aman ishte këtu. Në këto gati 30 vjet ky sistem është prishur. Çdo gjë që botohet në botë që ka të bëjë në mënyrë direkte apo indirekte me Shqipërinë, duhet të jetë këtu”, shtoi drejtori i sapoemëruar.

Piro Misha foli edhe për sfidat e tija personale.

“Sfida personale është që kur merr një detyrë të tillë, sidomos pas hezitimeve, sepse unë kisha një punë që më pëlqente, është që çdo drejtues të lerë gjurmë, që të mbahet mend për diçka që ka bërë”, përfundoi ai.
Jetona Koçibelli

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA