I ngritur dy muaj më parë, komisioni parlamentar i cili synon shkarkimin e Ilir Metës si president nisi zyrtarisht hetimin ndaj kreut të shtetit këtë të martë me miratimin e planit të punës.
Vota kundër ishte e opozitarit të ri Adriatik Alimadhi. Numri magjik i 94 votave që i duhet Parlamentit për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta ka bërë që parlamentarët e rinj të rrisin presionin ndaj shumicës.
Mbledhja e parë e sesionit vjeshtor edhe pse pritej të ishte formale mori një rrjedhë tjetër kur opozitarët e rinj kërkuan që para se të vendosin për fatin e Ilir Metës si President të pritet opinioni i Venecias dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese.
Hapi i parë i hetimit është thirrja në seancë dëgjimore e kreut të shtetit javën e ardhshme. Ilir Meta i cili mesa duket ka ndjekur nga zyra e tij zhvillimet në kryesinë e Kuvendit e quajti propagandë anti president nisjen e hetimit parlamentar, i cili sipas tij nuk ndihmon sundimin e ligjit, kusht për hapjen e negociatave nga BE në 18 tetor.
Elda Menga
Top Channel