Qyteti i Beratit prej 24-orësh vazhdon të jetë i pushtuar nga tymi dhe era e keqe,si rezultat i djegies së plehrave në sheshin e depozitimit në dalje të qytetit. Shtëllunga të mëdha tymi sheh që përhapen me shpejtësi drejt qytetit, ku kundërmon që prej mbrëmjes së djeshme edhe era e keqe e plehrave.

Si të mos mjaftojë fakti që qyteti i Beratit nuk ka një shesh të depozitimit të plehrave dhe menaxhimit të tyre,shumë herë persona të papërgjegjshëm i kanë vënë flakën plehrave dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh një ndotje e tillë. Flakët e zjarrit u shfaqën rreth mbrëmjes së djeshme dhe kanë  vazhduar për disa orë me radhë e më pas vendin e tyre e zuri tymi që nuk ka pushuar dhe për shkak të erës është përhapur drejt qytetit.

Ka qenë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse që flakët të fikeshin dhe situata të vihej nën kontroll por,  ndonëse zjarri është fikur ka shkaktuar një ndotje shumë të lartë mjedisore në të gjithë qytetin e Beratit. I gjithë territori në hyrje të qytetit ku ndodhet sheshi i depozitimit ka qenë nën pushtetin e tymit dhe era e keqe ka pushtuar gjithë qytetin,ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet e rënies së këtij zjarri.

Top Channel