Maxhoranca socialiste vijon të jetë në vështirësi në gjetjen e një zgjidhje për të zhbllokuar ngërçin e Shkodrës, krijuar nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit.
Megjithatë nuk kanë munguar sugjerimet e para se si mund të zhvillohen zgjedhje të pjesshme në Shkodër në një kohë ku ato refuzohen të dekretohen nga presidenti Ilir Meta.
Top-Channel ka mësuar se juristët e PS të ndodhur përballë një ushtrimi të vështirë juridik, e shikojnë zgjidhjen në ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
“Ndryshimi nenit të kodit zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme duke ia hequr të drejtën e dekretimit të presidentit, dhe kalimin e kësaj kompetence KQZ-s, për raste të ngjashme si ato të Valdrin Pjetrit, është zgjidhja e vetme për momentin” ka thënë një burim nga PS për Top-Channel.
Për të bërë këtë ndryshim emergjent në kodin zgjedhor socialistët i kanë votat në parlament.
Një ndryshim i tillë do të jetë jo vetëm zgjidhje për Shkodrën, por edhe për ndonjë bashki tjetër si ajo e Vorës, ku me gjatës zgjedhjet e pjesshme janë të pashmangshme.
Presidenti i republikës Ilir Meta, as që e ka në mëndje të dekretojë një datë të re zgjedhjesh për Shkodrën, duke e kapur maxhorancën Shah-Mat.
Presidenti si zgjidhje jo vetëm për Shkodrën por edhe për të gjithë Shqipërinë shikon datën 13 Tetor.
Kjo datë zgjedhjesh e dekretuar nga presidenti ka mbetur thjesht një dëshirë në sirtarin presidencial për aq kohë sa KQZ as që e ka marrë mundimin ta diskutojë dekretin e 13 Tetorit e jo më të nis përgatitjet për zgjedhjet.
Kristaq Kume ish kreu KQZ në një intervistë për Top-Channel tha se zgjedhjet e parakohshme në Shkodër kalojnë vetëm përmes një dekreti të presidentit dhe se çdo zgjidhje tjetër do të jetë e sforcuar.
Përballë situate duket se maxhoranca do të shkojë drejt një zgjidhje të sforcuar, kjo e imponuar nga qasja e presidentit për Shkodrën.
Muhamed Veliu, Top Channel
Top Channel