Pushimeve verore u erdhi fundi dhe seancat e vetting-ut nisën sërish.

Seanca e parë pas pushimeve është ajo ndaj gjyqtarit Sokol Ibi, gjyqtar administrativ në Korçë.

Relatorë të çështjes janë Olsi Komici, Suela Zhegu, Xhensila Pine. Hetimi për gjyqtarin Sokol Ibi, është kryer në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Sa i takon pasurisë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Ka burime të ligjshme, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.

KPK ka kryer një tjetër hetim për këtë kriter. Kështu, është hetuar pasuria shtëpi banimi 127 metra katrorë, së bashku me tokën bujqësore në Pogradec. Nga hetimi i KPK, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar një njësi toke në deklaratën fillestare. Në lidhje me këto pasuri, KPK tha se ka konstatuar mospërputhje në deklarime, për blerjen e pronës bujqësore dhe banesën.

Për këtë të fundit, janë konstatuar dy kontrata shit-blerje për pronën, njëherë në vlerën 100 mijë lekë dhe njëherë 145 mijë lekë. Në kontratën e dytë është e detajuar secila nga pasuritë. Këto kontrata kanë të njëjtën numër protokolli dhe i janë kërkuar shpjegime gjyqtarit. Një fakt tjetër i konstatuar nga Komisioni, është se shitja e pronës nga ana e babait është bërë pa shprehjen e vullnetit të motrës.

Ndërkohë, nga analiza financiare e depozitave bankare të deklaruara, iu kalua barra e provës në lidhje me pamundësinë financiare për dy depozita në vlerën 700 mijë lekë, para fillimit të detyrës.

KPK ka konstatuar edhe përdorimin e një mjeti mercedes benz. Në bazë të kontratës hua-përdorje, nga babai i tij, mësohet se e ka blerë në 2008, por policat e sigurimit nga viti 2011 deri në 2018 janë paguar nga subjekti. Komisioni tha se nga hetimi, është konstatuar se babai i subjektir, nuk ka leje drejtimi. KPK ngriti dyshime në lidhje me pronësinë e këtij mjeti.

Janë hetuar disa shuma kesh të depozituara nga prindërit e subjektit në bankë. Komisioni i ka kaluar barrën e provës subjektit për pamundësitë financiare të prindërve për blerjen e makinës dhe krijimin e depozitave.

Në lidhje me kriterin e figurës, DSIK, ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe nga hetimi i KPK, nuk kanë rezultuar lidhje të gjyqtarit me persona të papërshtatshëm dhe inkriminuar.

Në lidhje me aftësitë profesionale, rezulton se në vite ka 9 ankesa në Inspektoratin e KLD, 2 nga të cilat janë gjetur të mbështetura. Më tej, KPK ka konstatuar se subjekti ka logjikë në zbatimin e ligjit. Ndërkohë, në disa raste, për subjektin janë konstatuar se ka pasur zgjatje tej afateve të disa proceseve civile.

Jane analizuar 8 denoncime të ardhura nga qytetarët pranë KPK dhe ONM. Një ndër këta denoncime është anonim. Komisioni i ka kërkuar shpjegime gjyqtarit për të gjitha këto denoncime, shpjegimet do të merren parasysh në marrjen e vendimit.

Nga ana tjetër ky i fundit ka kërkuar konfirmimin në detyrë: “rezultatet e hetimit kanë qenë të thelluara, kërkoj konfirmimin në detyrë”.

KPK ndërkohë është tërhequr për vendim, seanca do jetë në datën 6 shtator.

Prioritet edhe këtë muaj pritet të jenë kandidatet e SPAK që ende nuk kanë kaluar në sitat e trefishta.

Top Channel