Nga Balili te sherri në Parlament, dosjet e bujshme që ka patur në dorë avokati i denoncuar në “Fiks Fare”

02/09/2019 21:58

Dy avokatë të njohur në Tiranë dhe Vlorë, Baftjar Rusi dhe Vladimir Sadikaj janë denoncuar sot nga emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel, pasi duke bërë “sekserin” e prokurorëve arritën të lironin dhe t’i pezullonin hetimin një qytetari kundrejt pagesës-ryshfet prej 4 mijë eurosh.

  Skandali/ “Fiks Fare”zbulon si mbyllen dosjet në prokurori me 4 mijë euro

Dy avokatët, kryesisht Baftjar Rusi, kanë patur çështje të bujshme në duar.

Baftjar Rusi ka qenë një prej avokatëve të Klement Balilit, i quajtur ndryshe “Eskobari i Ballkanit”, gjatë kohës që ai ishte në arrati. Daljet e Rusit në media për këtë çështje kanë qenë të shumta.

Por nuk është vetëm ky rast.

Rusi ka qenë avokat i ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Pjetrin Ndreu dhe Arben Ndoka, në çështjen që u hap për dhunën ndaj kolegut të tyre demokrat, Gent Strazimiri. Ish-deputeti i PD-së u godit në korridorin e ndërtesës së seancave plenare në muajin korrik të 2014-s, ngjarje që solli bojkotin e Parlamentit për disa muaj nga opozita.

Armando Prenga ka qenë një tjetër ish-deputet i Partisë Socialiste që ka patur si avokat Baftjar Rusin. Bëhet fjalë për konfliktin e ndodhur në shtator të 2015-ës, kur Prenga u konfliktua ashpër në Luginën e Patokut me disa persona, ngjarje për të cilën humbi edhe mandatin e deputetit.

Nehat Kulla, i njohur si “i forti” i Tiranës, ka qenë gjithashtu klient i avokat Rusit.

Top Channel