
Më shumë se 300 vite pas vdekjes së saj, në Skoci po kërkohet eshtrat e një gruaje, e cila dikur u akuzua për magji të zezë. Lilias Adie vdiq në burg në vitin 1704, pa patur mundësinë të mbrohej dhe të jepte versionin e saj të historisë.
Akuza? Të qenurit shtrigë! Asokohe, Lilias u konsiderua gjerësisht si grua e ligë, e cila kish’ kryer marrëdhënie seksuale me djallin, dorën vetë. E ndjera u varros në një plazh në Torryburn, ku njerëzit ishin aq shumë të frikësuar që ajo mund të ringjallej sa morën dhe vendosën një gur të madh mbi varrin e saj.
Pavarësisht përpjekjeve për ta varrosur sa më thellë dhe harruar përgjithmonë kujtimin e saj, në vitin 1854 kufoma u zhvarros nga disa gërmues dhe koleksionistë kureshtarë të së shkuarës.
Koka e saj u gjend më vonë në pronësi të muzeut universitar St Andrew, ku u fotografua edhe në 1904-n, përpara se të zhdukej krejt papritur së bashku me pjesët e tjera të mbetura të trupit.
Së fundmi, një ekip nga Universiteti Dundee ka mundur të sigurojë edhe një imazh të dukjes së Adie-s, falë një rikrijimi digjital.
Zyrtarët bëjnë thirrje për kthim të eshtrave të saj, me qëllim varrosjen përfundimatre të Lilias.
“Është e rëndësishme të kuptohet se shumë gra të akuzuara dikur në Skoci për magji të zezë, nuk ishin aspak qenie të liga, siç portretizoheshin dikur”, u shpreh një zyrtar i qeverisjes lokale.
Top Channel