Tregu i shitjes me shumicë të fruta-perimeve në Korçë është bllokuar pas një vendimi të bashkisë që synon të disiplinojë situatën e shitjeve mes tregut të shumicës dhe atij të pakicës për këto produkte. Mbyllja e tregut të shumicës për fermerët të cilët në sezonin e prodhimeve shtohen pranë këtij tregu ka sjellë reagimin e tyre.

Teksa kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit pranë këtij tregu me prodhimet e tyre,  shitësit nga fshatrat nuk jaNë lejuar të hyjnë për të shitur ndërsa vendimi u është argumentuar me faktin se ata nuk mund të tregtojnë vetëm me niptin e fermerit por duhet të kenë edhe licence tregtari, pasi ai është një treg shumice.

Përballë kësaj situate ata kanë bllokuar për 2 orë unazën e qytetit, ku funksionon ky treg me mjetet e tyre. Pas ndërhyrjes të policisë rruga është liruar. Në shenjë proteste  ata kanë vazhduar me hedhjen e disa prej prodhimeve në rrugë, duke kërcënuar se do ta vazhdojnë më tej këtë veprim.

Të paktën 200 fermerë vijnë të shesin prodhimin e tyre nga fshatrat e Korçës në këtë treg ku prej vitesh ata kanë vazhduar këtë aktivitet, por ndërtimi i një tregu të mirëfilltë pakice ka sjellë edhe reagimin e tregtarëve që vazhdojnë aktivitetin atje për shkak të konkurrencës së pandershme, çka e ka detyruar bashkinë e Korçës të marrë masa për sistemimin e shitjes së fruta perimeve në tregjet e shumicës dhe pakicës.

Top Channel