Amvisa gjirokastrite Marjeta Karagjozi ka risjellë në përdorim disa prej recetave më të hershme të zahireve të dimrit . Osat, një recetë gati e harruar mesjetare makaronash tradicionale, falë Marjetës po rikthehet jo vetëm si ushqim i traditës por edhe si një prej produkteve më të pëlqyera nga vizitorët.

Marjeta thotë se shpenzon çdo ditë 4-5 orë për t’i dhënë recetës së zahireve shijet lokale të perimeve dhe erëzave të kopshtit.

Janë gati 100 gra  në zonën e Gjirokastrës që po i japin jetë idesë së rikthimit tek zahiretë e dimrit, çajërat, bimët medicinale, reçeli dhe glikoja që nga kjo zonë e vendit vjen në më shumë se 30 shije të ndryshme.  Marjeta tregon se e vetme arrin të gatuajë në shtëpi dhe ambalazhojë mbi 30 produkte tradicionale.

Manjola Shehaj  vendosi të grumbullojë aroma dhe shije lokale  drejtpërdrejt nga amvisat dhe t’i ofrojë ato si produkte turistike në Qafën e Pazarit në Gjirokastër. Ideja qe nisi si një pasion i saj mbi shijet e harruara, po kthehet në një mundësi për të shpëtuar traditën dhe për të sjelle të ardhura për rreth 100 familje.

Livanda e Lazaratit që rritet në gjendje të egër pranë fshatit, është një prej produkteve më të shitura të verës. Trëndelina e malit është rikthyer gjithashtu në qarkullim bashkë me format e shumta të përdorimit.

Njësitë e vogla të zahireve në Gjirokastër po tërheqin një numër të madh vizitorësh këtë verë. Trëndelina, levanda, sherebela, rigoni, kamomili, çaji i malit, trëndafili i egër, lulja e shtogut, fara e lirit, gjembi i gomarit, rozmarina, kumbulla e egër, boronica, kulumbria vijnë nga i gjithë jugu. Vizitorët preferojnë edhe rakinë, që vjen në shumë shije kryesuar nga rakia e manaferrës.

Top Channel