Politikanët e Britanisë janë përgatitur për atë që po quhet beteja më e ashpër në parlament – një përplasje që mund t’i ndryshojë formën demokracisë së Britanisë për dekada me radhe, në procesin e përcaktimit nëse Dhoma e Komuneve apo qeveria ka epërsi në sistemin politik.
Rezultati i përballjes parlamentare javën e ardhshme për mënyrën sesi, kur dhe madje edhe nëse Britania largohet nga Bashkimi Evropian, po ripërkufizon marrëdhëniet mes degëve kryesore qeverisëse të vendit: Dhomës së Komuneve, zyrës së Kryeministrit dhe monarkisë, thonë ekspertët kushtetues. Ata paralajmërojnë se praktikat tradicionale kushtetuese të vendit, kanë filluar të dobësohen.
Drejtuesit e opozitës dhe konservatorët pro Bashkimit Evropian. të cilët kanë javë që po debatojnë se çfarë strategjie të ndjekin për të ndaluar kryeministrin Boris Johnson që të nxjerrë Britaninë jashtë BE-së, po planifikojnë të përpiqen të marrin kontrollin e funksioneve parlamentare nga qeveria, në mënyrë që të hartojnë një legjislacion që i ndalon atij largimin nga blloku.
Kundërshtarët e zotit Johnson shpresojnë të miratojnë legjislacionin që do ta ndalonte qeverinë konservatore të largohej nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor, diçka që kryeministri është zotuar të bëjë, nëse ai nuk është në gjendje të sigurojë një marrëveshje të re për daljen, duke zëvendësuar variantin e paraardhëses së tij, Theresa May, negociuar me Brukseli. Projekt-marrëveshja e saj shkaktoi zemërimin si të ligjvënësve pro-BE, edhe atyre që duan Brexit-in dhe u hodh poshtë tre herë nga parlamenti.
Të dy palët në mosmarrëveshjen për Brexit-in po luajnë me kushtetutën, thonë ekspertët juridikë. “Duket se po i afrohet një krize kushtetuese,” sipas Anthony Seldon, analist politik dhe zv / kancelar i Universitetit të Buckinghamit, në një intervistë për televizionin Sky News. “Jemi në këtë fazë shumë, shumë të pasigurt,” shtoi ai.
Falë vendimit të zotit Johnson për të pezulluar parlamentin – normalisht një ndërprerje rutinë për të lejuar qeverinë të hartojë plane për një axhendë të re legjislative – ligjvënësit pro-BE-së kanë vetëm tre ditë për të miratuar një legjislacion urgjent, një kohë jashtëzakonisht e shkurtër për të shqyruar legjislacionin në Dhomat e Komunëve dhe Lordëve.
Në mes të javës, kryeministri Johnson mori pëlqimin e Mbretëreshës Elizabeth për një pezullim parlamentar për një muaj, i njohur si prorogim. Ai dhe ministrat e tij thonë se nuk është bërë për të kufizuar kohën që do t’u duhej kundërshtarëve të tij për të penguar plotësimin e premtimit të tij për t’u larguar nga BE-ja deri në fund të tetorit, me ose pa marrëveshje.
Por kohëzgjatja e pazakontë e pezullimit si edhe momenti kur u bë, kanë provokuar një furtunë politike dhe kritikët përfshirë kryetarin e Parlamentit John Bercow, i cili akuzon Johnsonin për një dredhi cinike që synon të dobësojë Dhomën e Komuneve dhe madje edhe të shkaktojë “një grusht shteti shumë britanik”.
Downing Street hodhi poshtë akuzën, duke thënë se ligjvënësit po e ekzagjerojnë. Johnson thotë se ai duhet ta nxjerrë Britaninë jashtë BE-së për të rikthyer besimin në demokraci dhe për të vënë në jetë dëshirat e një mazhorance të Britanikëve, të cilët votuan për Brexitin në referendum tre vjet më parë.
Drejtuesi i partisë kryesore të opozitës së Punës në Britani, Jeremy Corbyn, u ka kërkuar anëtarëve të partisë të protestojnë të Shtunën në 10 qytete britanike dhe të “mbyllin rrugët” dhe “të pushtojnë ura”./ VOA
Top Channel