Me mijëra rusë dolën sot në qendër të Moskës për të kërkuar zgjedhje të lira për bashkinë e kryeqytetit, duke sfiduar kështu urdhrin e policisë, e cila jo vetëm i ka ndaluar manifestimet, por protestat e mëparshme i ka shtypur me forcë dhe me dhjetëra arrestime.
Demonstratat, të cilat kanë vazhduar javë pas jave, janë kthyer në më të gjatat që janë zhvilluar në Rusi, që nga ato të viteve 2011 e 2013, kur me mijëra qytetarë dolën në shesh dhe akuzuan për vjedhje të votimeve.
Protestuesit kanë kërkuar që kandidatët e opozitës të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje. 30 prej tyre, që kryesisht kandidojnë si të pavarur, janë hequr nga lista nga komisioni qendror i zgjedhjeve, të cilat thanë se ishin regjistruar me firma të falsifikuara.
Bashkia e Moskës dhe këshilli bashkiak mbizotërohet nga mbështetësit e Putinit. Kremlini nuk ka reaguar, duke i konsideruar protestat si të vogla e të parëndësishme, edhe pse kanë arrestuar shumë aktivistë.
Top Channel