Sekretari i Shtetit ka emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer si Përfaqësuesin e tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë rol, – tha Departamenti i Shtetit, – zoti Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon dhe për t’u përqëndruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore.”

Departamenti amerikan i Shtetit njofton se si Përfaqësues i Posaçëm, zoti Palmer do të shkojë në Slloveni duke filluar nga 1 shtatori për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit. Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve të Quint-it për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë, nga 4 deri më 10 shtator.

Përveç shërbimit si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit, zoti Palmer do të vazhdojë të jetë Zëvendës Ndihmës Sekretar në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, një post që ai mban që nga viti 2018. Më parë, ai ishte Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA