Wojtek Markiewivcz është një i ri nga Polonia që mbrëmjen e së enjtes kaloi disa nga momentet më të vështira të jetës së tij. Teksa po eksploronte bukuritë natyrore të Thethit, vendosi të vijonte me tej në majën e Harapit, por aty pësoi një aksident duke u rrëzuar nga një lartësi e konsiderueshme.
Dëmtimet ishin të rënda aq sa i riu, nuk mundi të lëvizte por njoftoi të dashurën e tij Julia Bednarska dhe banoret e fshatit të cilët i erdhën në ndihme.
“Jam në Shqipëri prej ditësh, dhe dje po i ngjitesha maleve te Thethit. Vendosa këmbën në një gur qe dukej i qëndrueshëm por ai u shemb dhe u rrezova. Kam dëmtuar rëndë këmbën. I thashë të dashurës time, dhe ajo njoftoi bujtinën ku po qëndronim. Banorët e fshatit u organizuan dhe më erdhën në ndihmë të gjithë bashkë. Jam shumë mirënjohës të gjithë atyre njerëzve që më ndihmuan kaq shumë”, ka thënë për Top Channel, Wojtek Markiewivcz.
Julia, e dashura e 20 vjeçarit që u rrëzua tregon se si banorët e Thethit u organizuan në pak minuta dhe pavarësisht errësirës dhe terrenit të thyer, ata i erdhën në ndihmë në pak minuta.
“Na mori në makinë banori Xhimi Guri dhe u nisëm drejt maleve. Pastaj kemi ecur rreth një orë e gjysmë në këmbë përmes errësirës, ishte e vështire por ja arritëm të gjejmë të dashurin tim. Banorët e mbajtën në një barelë në shpinën e tyre edhe një orë e gjysmë tjetër, derisa arritëm sërish tek makina. Falë tyre tani jemi mirë dhe jemi në Spital”, ka thënë Julia Bednarska, e dashura e 20-vjeçarit.
Në zonën e Thethit, janë disa turistë të cilët kanë provuar të eksplorojnë malet e larta pa ndihmën e udhërrëfyesve turistik, dhe për pasojë kanë pësuar aksidente. Në të gjitha rastet kanë qenë banorët e zonës dhe inspektorët e administratës se zonave të mbrojtura që u kanë ardhur në ndihmë.
Klodian Zhivani.
Top Channel