Në Kardhikaq zjarri është vënë nën kontroll vetëm gjatë orëve të mëngjesit. Zjarrfikës nga Finiqi, Delvina, Saranda dhe Gjirokastra kanë punuar gjatë gjithë natës për të izoluar flakët.

Rreth orës 3 të mëngjesit pati një kthim të papritur të flakëve sërish drejt fshatit Kardhikaq u kërcënuan 2 shtëpi te banuara që gjenden në pjesën e sipërme. Kreu i shërbimit zjarrfikës për Finiqin, Llambi Bozhori tha se lufta me flakët për të shpëtuar këto 2 banesa ka zgjatur mbi 1 orë. Sipas të njëjtit shërbim zjarrfikës situata tani është nën kontroll dhe nuk ka vatra pranë zonave të banuara.

Gazetarja e Top Channel, Kristina Fidhi raportoi se ka qenë një natë shumë e vështirë si për shërbimin zjarrfikës, ashtu edhe për banorët e zonës, të cilët ndjenë rrezikun e djegies së banesave. Automjete të shërbimit zjarrfikës nga disa qytete të jugut si dhe Greqia kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur izolimin e flakëve.

Këto javë zjarret kanë djegur edhe 8 banesa në zonën mes bashkive Delvinë dhe Finiq.

Flakët kanë nisur prej paradites së djeshme, por pasdite është bërë shumë i fortë duke djegur plotësisht plantacionet me ullinj dhe çdo bimësi.

Gjatë pasdites së djeshme zjarri ka hyrë edhe në fshatin Kardhikaq, përgjatë rrugës së vjetër Qafa e Muzinës – Delvinë. Sipas banorëve shumë shtëpi në periferi të fshatit janë përfshirë nga flakët dhe situata është nga më të rëndat që kanë parë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku gjithçka është shkrumbuar. 90 përqind e pronave të banorëve pothuajse janë asgjësuar nga zjarri, ndërsa një pjesë e tyre janë sëmurë dhe janë izoluar në shtëpi, që më pas u ndihmuan nga policia dhe zjarrfikëset.

Në përditësim….

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA