Zjarret kanë shkatërruar 1.2 milionë hektarë pyje dhe tokë në Bolivi, këtë vit dhe zjarrfikësit janë të angazhuar në një luftë të ethshme me flakët.
E mes tyre, ka përveshur mëngët edhe vetë presidenti bolivian, Evo Morales, që është hedhur në linjën e parë, pavarësisht se i shoqëruar edhe nga kamerat e televizioneve.
Presidenti Majtist, pezulloi të hënën fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e ardhshme, për të drejtuar reagimin e qeverisë pas katastrofës ambjentale në përshkallëzim në pjesën boliviane të Amazonës, ku zjarret po zhurisin pemë e bimësi që prej majit. Morales është përballur me jo pak kritika për shkak të dështimit të tij në reagim por edhe për politikat e ndjekura prej tij që për kritikët, kanë favorizuar shpyllëzimin.
Qeveria, fajëson për zjarret motin e thatë dhe erërat e forta. Qeveria e Moralesit ka plane për të mbjellë 4.5 milionë hektarë pyje deri në 2030, për të përmbushur angazhimet e marra përsipër prej saj para Kombeve të Bashkuara.
Top Channel