Pamje të ngjashme me ato të krizës migratore të vitit 2015 kanë regjistruar kamerat në ishullin Lesvos të Greqisë, 24 orët e fundit.

Të paktën 13 barka me mbi 550 refugjatë, prej të cilëve thuajse gjysma janë fëmijë, kanë mberritur në ishull prej brigjeve turke.

Ato janë shoqëruar nga katër anije të flotës ushtarake greke dhe më pas refugjatët janë dërguar në kampin e Morias, i quajtur tashmë edhe si i “Ferri i Tokës”, pasi është kampi më i madh në Evropë, me  mbi 10.241 refugjatë, ndërsa kapaciteti i tij është disa herë më ë vogël dhe kushtet jane tepër çnjerëzore.

“Kanë çrregullime të stresit post-traumatik, përpjekje për vetëvrasje apo depresion. Viktima të torturave, viktima të dhunës, viktima të abuzimit seksual. Këto janë raste shumë të vështira që, natyrisht, përkeqësohen në kamp me këto kushte jetese dhe kjo i ben të pavlefshme procedurat e tyre të azilit”, u shpreh pediatri Marco Olla.

Mbërritja e refugjatëve të fundit , por në përgjithësi tendenca në rritje në javët e fundit të fluksit të emigrantëve në ishull ka krijuar shqetësim të madh te qeveria greke.

Ministri i Jashtëm .Nikos Dhendias ka thirrur urgjent ambasadorin turk në Athinë dhe i  ka dhënë një notë proteste duke i shprehur pakënaqesinë e tij për këto zhvillime. Gjithashtu shqetësimi është rritur pas deklaratave të ministrit të Jashtëm turk, Cavusoglou, i cili ka paralajmëruar se përsa kohë vazhdojnë operacionet ushtarake të Asadit ne Idlib të Sirisë, fluksi i refugjatëve drejt Evropës do të rritet.

Kryeministri grek Mitsotakis ka thirrur të shtunën mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të përballuar urgjentisht  situatën dhe një nga masat e para është transferimi i të paktën 1000 refugjatëve në kampin “Nea Kavala” , pranë Selanikut.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA