Autoriteti i Medieve Audiovizive ka vendosur të shtyjë afatin e transmetimeve analoge edhe për një muaj.
Në një deklaratë për media, kreu i AMA-s Gentian Sala, tha se vendimi është marrë pas një sondazhi të bërë, në të cilën ka rezultuar se shumica e shqiptarëve vijojnë të shohin ende transmetimet analoge.
Në kuadër të vlerësimit dhe analizimit të situatës në lidhje me informimin e qytetarëve për procesin e digjitalizimit si dhe pajisjen e tyre me dekodera, AMA ka kryer sondazhe periodike me një kampion prej 1600 të intervistuarish. Nga sondazhet e kryera, ka rezultuar se një numër të konsiderueshëm qytetarësh shohin vetëm transmetime analoge.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, përcaktimet në Strategjinë për Kalimet në Transmetime Numerike, sipas të cilës transmetimet analoge në një zonë të caktuar mbyllen pasi e gjithë popullsia (ose pjesa më e madhe e saj të jetë pajisur me marrës numerikë), dhe referuar rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i RSH, si dhe duke vlerësuar faktin që në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, banon gjysma e popullsisë së vendit dhe impakti i këtij procesi është i ndjeshëm tek shumë qytetarë, Bordi i AMA-s unanimisht vendosi shtyrjen e afatit të mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë me 30 ditë.
Bordi i AMA-s vlerësoi se shtyrja e afatit me 4 javë nga njëra anë do t’u krijojë mundësi qytetarëve të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të përfitojnë shërbimin audioviziv dhe nga ana tjetër operatorëve u jepet mundësia të realizojnë një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve”, tha Sala.
Top Channel