Një turist polak ka rënë sot nga Maja e Harapit në Theth të Shkodrës dhe për pasojë ka dëmtuar të dyja këmbët.

Pasi banorët vendas e kanë gjetur turistin nga Polonia, Wojtek Markiewicz, ai është transportuar me ambulancë për tu nisur drejt spitalit Rajonal Shkodër.

Banorët u lajmëruan nga ana e bashkëshortes së turistit. Ishin banorët që pasi kanë vënë re gjendjen e turistit nga Polonia, kanë lajmëruar drejtorin e ADZM Shkodër, Agim Dardha.

Gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

Ja njoftimi i policisë:

Rreth orës 19.00, shtetasi W. M., 20 vjeç, turist nga Polonia, duke eksploruar zonën e Thethit, ka dëmtuar këmbën në disa shkëmbinj në majën e Harapit, në Theth Shkodër.
20-vjeçari ka njoftuar në numrin 112 duke kërkuar ndihmë, pasi nuk ecte dot për shkak të dëmtimeve të marra në këmbë.
Për shkak të orës së vonë dhe errësirës, ishte i pamundur dërgimi i helikopterit dhe në këto kushte punonjësi i policisë së zonës Theth ka njoftuar banorët, të cilët së bashku me Policinë janë vënë në kërkim të turistit.

Rreth orës 21.30, banorët e zonës së bashku me punonjësin e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e turistit polak, si dhe transportimin e tij deri në rrugën e makinës. Më pas 20-vjeçari është transportuar me autoambulancë në qendrën shëndetësore të Thethit dhe pas ndihmës së parë mjekësore rezultoi se nuk ka asnjë problem për jetën dhe as dëmtime serioze fizike.

Turisti polak W. M ka falënderuar banorët e zonës dhe policinë që i erdhën në ndihmë duke i shpëtuar jetën.

Policia e Shkodrës gjen rastin të falënderojë edhe njëherë banorët e zonës së Thethit, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Policisë në çdo rast që u është kërkuar për t’u ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve të huaj, duke treguar dhe përcjellë tek ata vlerat më të mira të vendit tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA