Këto javë flakët e zjarreve kanë djegur edhe 8 banesa në zonën mes bashkive Delvinë dhe Finiq.
Flakët kanë nisur prej paradites, por pasdite zjarri është bërë shumë i fortë duke djegur plotësisht plantacionet me ullinj dhe çdo bimësi.
Gjatë pasdites zjarri ka hyrë edhe në fshatin Kardhikaq përgjatë rrugës së vjetër Qafa e Muzinës – Delvinë. Sipas banorëve shumë shtëpi në periferi të fshatit janë përfshirë nga flakët dhe situata është nga më të rëndat që kanë parë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku gjithçka është shkrumbuar. 90 përqind e pronave të banorëve pothuajse janë asgjësuar nga zjarri, ndërsa një pjesë e tyre janë sëmurë dhe janë izoluar në shtëpi, që më pas u ndihmuan nga policia dhe zjarrfikëset.
Gazetarja e Top Channel, Kristina Fidhi raportoi se pavarësisht mbërritjes në kohë të zjarrfikësve përmasat e zjarrit janë shumë të mëdha, ndërkohë që bashkia e Finiqit dhe ajo e Delvinës thanë se nëse zjarri i tre ditëve më parë do ishte parandaluar situata e sotme nuk do ishte kjo.
Ndërkohë që mendohet se një tjetër arsye për avancimin e flakëve ishte edhe mosndërhyrja nga ajri. Situata ndërkohë paraqitet e rëndë, pasi nëse situata nuk zhbllokohet flakët mund të arrijnë në Gjirokastër.
Shumica e banorëve janë emigrantë dhe në fshat ka shumë pak njerëz që po luftojnë për të penguar përparimin e flakëve. Në drejtim të fshatit janë nisur disa zjarrfikëse nga Saranda e Delvina.
Shtëpitë e djegura janë të banorëve që nuk gjendeshin në fshat dhe zjarret janë forcuar për shkak të erës së fortë në zonë.
Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forcat e ushtrisë të cilat po bëjnë evakuimin e banorëve në mënyrë që të mos pësojnë dëme.
Top Channel