Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim Zëvendëskryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane, Katja Leikert.
Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, dhe vëmendjen e posaçme që Gjermania po i kushton Shqipërisë, rajonit dhe perspektivës sonë europiane.
Kreu i shtetit e falenderoi për angazhimin e posaçëm të Bundestagut dhe veçanërisht të grupit parlamentar CDU/CSU për parandalimin e thellimit të krizës politike ku ndodhet vendi, dhe theksoi se nëse do të ishin dëgjuar në kohë sugjerimet dashamirëse të drejtuesve të lartë të CDU, gjendja sot do të ishte krejt e ndryshme.
Presidenti Meta ripërsëriti se e vetmja zgjidhje e kësaj krize janë zgjedhjet, dhe se 13 tetori është një mundësi që nuk duhet humbur pasi vetëm do e përshkallëzonte më tej atë.
“Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mesojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, – theksoi presidenti.
Top Channel