Duke nisur nga e hëna e ardhshme, 2 shtatori, prindërit mund të regjistrojnë fëmijët e tyre pranë kopshteve publike tashmë në varësi të Bashkisë së Tiranës. Drejtoresha e Qendrës Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri u shpreh se faza e regjistrimit do të zgjasë dy javë dhe më pas do jetë një komision pranë çdo kopshti i cili do të verifikojë dokumentacionin si dhe të bëj regjistrimin e fëmijëve në kopshte.
“Për kopshtet do të ngrihet një komision. Një nga dokumentet që do kenë prindërit me vete veç certifikatave do të jenë edhe vërtetimet e punës, për fëmijët që do qëndrojnë me gjumë. Fëmijët që i kanë prindërit jo në marrëdhënie pune do qëndrojnë deri në orën 13:00. Në momentin e aplikimit që fillon në datën 2 shtator, dhe periudha e regjistrimeve do të zgjasë 2 javë, në ambientet e kopshtit do të jetë një komision ku do jetë drejtuesja e kopshtit, edukatorja që ka eksperiencën më të gjatë në atë kopsht, dhe një përfaqësues i bashkisë. Prindërit në momentin e aplikimit duhet të kenë kartelën e vaksinimit, për të garantuar shëndetin e fëmijëve të tyre, por edhe të fëmijëve të tjerë. Duhet të kenë certifikat. Nëse nuk e bëjmë dot vetë nga e-albania këtë lloj dokumentacioni, duhet të lënë kartën e identitetit dhe një autorizim pranë Komisionit, që ta bëjmë ne si drejtori. Dhe vërtetimin e punës të prindërve, duke qenë se kemi një fluks shumë të madh, në mënyrë që të bëjmë këtë ndarjen, kush do jetë me gjumë dhe kush pa gjumë”, tha Beqiri.
Zhaneta Beqiri bëri të ditur se standardi i raportit fëmijë – edukator i arritur në çerdhe do synohet të respektohet me patjetër edhe në kopshte. “Një nga elementët që ne na stononte ishte raporti edukatorë-fëmijë, dhe i atyre tetave mbështetëse ndaj edukatorëve. Sepse janë fëmijë të vegjël dhe kanë nevojë për ndihmë. Në momentin që vijnë nga çerdhet i kanë aftesitë e vetëkujdesit më të theksuara, ndërsa fëmijët që vijnë nga shtëpia e kanë pak më të vështirë këtë përshtatjen. Kjo ka qenë arsyeja pse ne nga marsi e këtej po shtojmë punonjësit. Kemi marrë një shtesë prej 190 punonjësish që janë edukatorë, dhe këto tetat ndihmëse. Në çerdhe punohet një edukatore maksimumi me 6 fëmijë, edhe në kopshte këtë vit shërbimi do të jetë vetëm konform standardit. Që do të thotë nuk do të ketë grupe më shumë se 25 fëmijë, dhe në këtë grup do jenë 2 edukatore në shërbim, dhe në nga këto tetat mbështetëse, që të mbështesë gjithë procesin”, bëri të ditur Beqiri.
Ajo theksoi se në dy vitet e fundit është bërë një përmirësim i ndjeshëm i menusë së ushqyerjes së fëmijëve në çerdhe, çka ka eliminuar ushqimet që ndikojnë në kequshqyerjen e fëmijëve dhe duke futur produkte që garantojnë një rritje të shëndetshme. Por ajo siguroi se menuja ushqimore në çerdhe dhe kopshte mund të ndryshojë sërish nisur nga indiciet dhe kërkesat e prindërve.
“Pati shumë zhurmë në opinion dhe më mbrapa ne e kuptojmë që ka qenë një keqdashje nga zëra të ndryshëm dhe faktorë të ndryshëm, sepse gjithë ato zëra nuk kanë qenë prindër të fëmijëve. Prindërit e fëmijëve, në vazhdimësi janë ata që kërkojnë sot recetat e gatimit dhe shfaqin opinionet e tyre vlerësuese për mënyrën se si gatuhet në çerdhe. Në 2017 kur ne ndryshuam menunë, ne kemi detyrimin për të bërë më të mirën dhe për t’i ushqyer konform të gjitha studimeve, sepse studimet bëjnë të tyren. Informacioni përditësohet se cila është mënyra më e mirë e ushqyerjes. Në atë moment ne bëmë më të mirën e mundshme. Duke i marrë këto opinione të prindërve sot, duke marrë indicie, duke parë se si është përditësuar mënyra e ushqyerjes, analizat që iu bëhen produkteve ushqimore, elementët që përmbajnë këto lloj produktesh, absolutisht me indicien e prindërve, me punën e komisioneve më të mira, do e rishikojmë dhe njëherë menunë.
Ne çdo ditë në shërbim e vlerësojmë çdo element pozitiv të shërbimit dhe e kemi sfidë për të përmirësuar çdo element të shërbimit. Kur themi do e rishikojmë, do e rishikojmë për të bërë një gjë edhe më të mirë për ushqyerjen e fëmijëve”, tha Beqiri.
Top Channel