Brazilianët janë “derdhur” në mediat sociale për t’i kërkuar ndjesë Brigitte Macron, pasi presidenti i tyre bëri komente jashtëzakonisht fyese në adresë të saj.
Jair Bolsonaro, bëri një krahasim të moshës së zonjës së parë të Francës, 66, me atë të bashkëshortes së tij të tretë, Michelle Bolsonaro, 37 vjec.
“Ju mund ta kuptoni përse Macron e persekuton Bolsonaron”, shkruante një përdorues në faqen e Facebook-ut të presidentit të Brazilit.
Bolsonaro e pëlqeu komentin dhe shkroi: “Mos e poshtëroni më shumë…”
Vetë Macron, i quajti komentet e Bolsonaros jashtëzakonisht të pasjellshme dhe sugjeroi se femrat braziliane duhet të turpërohen nga sjellja e shefit të shtetit të tyre. Pas kësaj, hashtage mes të cilëve #DesculpaBrigitte dhe #PardonBrigitte (Ndjesë Brigitte-s) ishin një trend global ndërsa përdoruesit e mediave sociale i postonin mesazhe zonjës Macron. Edhe shkrimtari i njohur brazilian po ashtu postoi një video në Twitter, drejtuar popullit francez, në të cilën ai kërkonte ndjesë për histerinë e Bolsonaros kundrejt Francës, presidentit francez dhe Zonjës së Parë.
“Ndërsa amazona digjet, qeveria braziliane nuk ka argumenta. Ajo zgjedh fyerjet, mohimin dhe komentet qesharake dhe eviton marrjen e përgjegjësisë”, tha novelisti Paulo Coelho.
Mediat franceze, duke cituar burime pranë Macron, shkruan se zonja e parë e Francës ishte prekur nga mesazhet.
Kjo është më e fundit në një seri tensionesh mes dy liderëve botërorë pas thirrjes së Macron-it për t’i vendosur zjarret në Amazonë në rend të parë të axhendës së samitit të G7-s. Bolsonaro e kritikoi Macron në Twitter se ka cënuar sovranitetin e Brazilit dhe po e trajton vendin si një koloni.
Top Channel