Është shtyrë gjyqi për Florenc Çapjan, i dyshuar për tentativën e vrasjes së ish-oficerit të policisë, Fadil Mema, në vitin 2006 në Elbasan. Gazetari i Top Channel, Andi Bora, raporton nga Elbasani se seanca për Çapjan është shtyrë për në 20 shtator.

Vetë Florenc Çapja nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa avokati i tij ka kërkuar shtyrjen e seancës pasi prokurori i çështjes nuk i kishte vendosur në dispozicion të dhënat që kishte kërkuar mbi hetimin.

Avokati kërkoi gjithashtu një masë më të lehtë sigurie për klientin e tij, qoftë detyrim paraqitje apo garanci pasurore.

Ndaj të arrestuarit janë ngritur akuzat për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Nga përgjimet dhe hetimet një vjeçare që u pasuan me operacionin policor ”Krasta” në Elbasan rezulton përfshirja e 38-vjeçarit Çapja në tentativën e vrasjes së ish-oficerit të policisë, Fadil Mema, në vitin 2006 në Elbasan, atentat që e detyroi Memën të emigronte në Itali bashkë me familjen ku dhe u vra në vitin 2015.

Top Channel