Një zjarr masiv ka përfshirë prej dy ditësh pyllin pranë fshatit Cerje të bashkisë Pustec. Flakët kanë djegur një sipërfaqe me dushk dhe kullota duke i shkrumbuar orë pas ore.
Terreni mjaft i thyer dhe era e fortë që favorizon përhapjen e flakëve e bëjnë mjaft të vështirë ndërhyrjen mbi këtë vatër zjarri dhe neutralizimin e saj.
Krahas banorëve të zonës që po bëjnë përpjekje me vegla dore dhe forca të policisë kufitare kanë shkuar në ndihmë të tyre për të shuar zjarrin e rënë në pyllin pranë fshatit Cerje.
Autoritetet lokale kanë kërkuar edhe ndihmën e Emergjencave civile në njerëz e mjete duke e parë si të pamundur shuarjen e zjarrit masiv.
Mendohet se përhapja e flakëve ka ardhur nga Greqia ku u shfaq më parë vatra e zjarrit. Ndërsa pala greke ka arritur të verë nën kontroll zjarrin duke ndërhyrë edhe me mjete nga ajri, nga pjesa shqiptare e kufirit pranë Cerjes zjarri vazhdon prej gati dy ditësh intesivisht.
Deri tani raportohen 40 ha te djegura ndërsa mjete zjarrfikëse nga bashkia e Devollit kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin.
Top Channel