Turneu i fundit “Grand Slam” i vitit në tenis, “US Open” nisi pa shumë surpriza me sportistët pretendentë që kaluan në raundin e dytë të këtij evenimenti.

Vëmendja më e madhe në ditën e parë ishte te sfida e turneut të femrave mes Serena Williams-it dhe Maria Sharapova-s, dy lojtare që kanë shkruar historinë në tenisin botëror duke ofruar sfida të një niveli të lartë. Por këtë radhë Serena e shkatërroi totalisht rivalen e saj të cilën e mundi në dy sete 6-1;6-1 në vetëm 59 minuta lojë.

Në kampin e meshkujve, numri 1 i botës, Novak Djokovic eliminoi pa shumë probleme Roberto Carballes Baena, teksa e mundi me rezultatin 3-0. Djokovic ishte superior gjatë gjithë kohës ndaj spanjollit dhe i fitoi të 3 setet e sfidës 6-4;6-1;6-4.

Pak më të vështirë i patën përballjet e tyre Roger Federer dhe Stanislav Wawrinka. Federer, tashmë 38- vjeçar mundi indianin Sumit Nagal 3-1 në një sfidë që zgjati 2 orë e 30 minuta. Nagal bëri befasinë në fillimin e kësaj ndeshjeje teksa fitoi setin e parë 6-4, më pas gjithcka foli për zviceranin që fitoi 3 setet e tjerë 6-1;6-2;6-4.

Me rezultatin 3-1 fitoi ndeshjen e tij edhe zvicerani tjetër, Stanislav Wawrinka  që mundi italianin Sinner në 2 orë e 49 minuta lojë. Wawrinka fitoi  dy setet e parë 6-3;7-6, ndërsa Sinner arriti të fitojë setin e tretë 6-4. Seti i katërt ishte sërish nën kontrollin e Wawrinka-s që e mbylli atë 6-3.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA