Një raport i fundit i Bashkimit Europian, në lidhje me situatën e lumenjve, thotë se lumenjtë shqiptarë kanë nivelin më të lartë të ndotjes në Europë.
Për gati 30 vite, në lumenjtë tanë kanë përfunduar lloj lloj hedhurinash, që nga ambalazhet e qeset plastike e deri tek mbetjet industriale.
Rezultatet e analizave u publikua nga Eurostat në kuadër të monitorimit të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Sipas institucioneve të Bashkimit Europian që kanë kryer studimin lumenjtë shqiptarë janë të ndotur me kimikate dhe fosfate. Në 1 litër ujë ndodhen 7 miligramë biokimikate, ndërkohë që në një lumë të pastër niveli i kimikateve nuk shkon më shumë se 1 miligramë.
Shqipëria ka diferencë të madhe edhe me Rumanin, vend tjetër me nivelin më të lartë, me 3,5 miligram për një litër ujë.
Gjithashtu, Shqipëria paraqitet keq edhe përsa i përket pranisë së fosfateve. Niveli i fosfatit në lumenjtë shqiptarë është gati sa dyfishi i mesatares në lumenjtë europiane. Ky është tregues i shkarkimit të madh të ujërave të zeza nëpër lumenj. Matjet treguan se niveli i tyre ishte 6.9 miligram për litër në vitin 2015 me një rritje të konsiderueshme në raport me vitin 2013 ku niveli i tyre ishte në 5.5 miligram për litër.
Përqendrimet e larta të fosfatit dëmtojnë cilësinë e ujit, duke nxitur rritjen e makrofiteve dhe algave. Në vendet ku këto lumenj derdhen në det, ka një vegjetacion të shtuar të algave, tregues se ujërat janë të ndotur nga ujërat e zeza. Shqipëria numëron rreth 25 lumenj gjithsej, që nga Drini, Vjosa, Valbona Osumi e Shkumbini.
Top Channel