U ul në stolin e Juventusit në fillim të verës, por për të bërë debutimin zyrtar në kampionat, Maurizio Sarri do të duhet të presë mesin e shtatorit, në ndeshjen në “Artemio Franchi” përballë Fiorentinës.
Tekniku i ri i bardhezinjve po trajtohet nga një pneumoni, që e ka prekur në mesin e gushtit dhe sipas konfirmimeve nga klubi i Juventusit, nuk do të jetë në pankinë në dy ndeshjet e para, përballë Parmës të shtunën dhe përballë Napolit, fundjavën e 2 shtatorit.
Përveç startit të kampionatit Sarri do të humbë kështu edhe mundësinë për të drejtuar Juventusin përballë ish skuadrës së tij, Napolit, të cilën e drejtoi për 3 sezone me mjaft sukses dhe ishin rivalët kryesorë të bardhezinjve.
Ish trajneri i Chelseat vazhdon të kurohet në një klinikë në Torino, ndërsa edhe sot ka shkuar në qendrën stërvitore bardhezi vetëm për të koordinuar punën, pasi këshilla e mjekëve është që të mos sforcohet. Në vend të Sarrit, në pankinë do të ulet ndihmësi i tij Giovanni Martuscielo.
Top Channel