Po të besonim raportimet e fundit, presidenti i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë që të studiojë idenë për t’i blerë mbretit të Danimarkës Grenlandën, një vend autonom dhe ishulli më i madh në botë.

Grenlanda ka 56 mijë banorë dhe ideja e blerjes së një populli indigjen, bashkë me tokat e të parëve të tyre, kujton kohët e kolonializmit dhe shfaq një problem të madh. Duke parë se si u shkoi puna banorëve të Nju Jorkut me planet e Trump-it për pasuritë e patundshme (360 milionë dollarë taksa të falura ose të pambledhura, dhe 885 milionë dollarë nga uljet e taksave për apartamente luksi, hotele dhe zyra) gjëja më e zgjuar për Danimarkën do të ishte që t’i qëndronin larg kapitalizmit të Trump-it.

Në Danimarkë dhe Grenlandë, interesi i Trump-it është pritur me zemërim. Një deputet në parlamentin danez e quajti “shaka të keqe”, ndërsa kryeministri komentoi thatë dhe shkurt që “Grenlanda nuk është për t’u shitur”.

Ideja është e tmerrshme për danezët e Grenlandës për tri arsye: së pari, Grenlanda ka gjuhën, kulturën dhe historinë e vet. Ideja e blerjes së një kombi është fyerje ndaj historisë së dhimbshme e kolonizatore të Grenlandës.

Grenlanda u kolonizua nga danezët në vitin 1721, gjë që pasoi me një periudhë krishterimi të detyruar, si dhe shtypje të kulturës dhe gjuhës vendase. Në vitet 1950, madje, u krye një eksperiment shoqëror që bëri që disa fëmijë nga Grenlanda të largoheshin nga prindërit e tyre (taktikë që e ka përdorur dhe administrata e Trump).

Sot, shumica e popullit të Grenlandës mbështet pavarësinë nga Danimarka, por shumë druajnë se ishulli është ende shumë i varur nga mbështetja ekonomike e danezëve e mund të mos ia dalin dot vetëm, si shtet sovran. Trump duhet të kuptojë që një popull me plagë kolonializmi, me shpresë për pavarësi, do të fyhet menjëherë nga ideja se mund të shitet.

Së dyti, shoqëria daneze është ndërtuar mbi vlera që janë ndryshe nga ato amerikane. Për shumicën e danezëve të Grenlandës, përshtatja me kapitalizmin e ashpër të sistemit amerikan, me programe më të varfra të përkrahjes shoqërore, do të ishte një ide e frikshme. Po ta blinte SHBA-ja Grenlandën, banorët do të humbitnin të drejtën për mbulim të plotë shëndetësor, arsim të lartë falas, pesë javë pushime vjetore, 1 vit leje lindjeje, mbulim të edukimit të fëmijëve, etj. Aja Çemnic Larsen,  deputete e parlamentit të Danimarkës, e cila përfaqëson Grenlandën, thotë se këto të drejta bazë të popullsisë do të shkatërroheshin plotësisht sikur vendi të merrej nga SHBA-të.

Së treti, banorët e Grenlandës nuk janë aspak të kënaqur për të drejtat ushtarake që ka SHBA në bazën Thule, në ishullin të tyre. Në vitin 1946, presidenti amerikan, Herri Truman, ofroi 100 milionë dollarë për Grenlandën, por qeveria daneze refuzoi ta shesë. Megjithatë, fshatarët në Thule u larguan me dhunë, që të bëhej vend për vendosjen e bazës ushtarake amerikane, e cila luan sot një rol kryesor në sistemin e predhave të SHBA-ve.

Në vitin 1968, një avion bombardues amerikan (B-52), u përplas pranë bazës teksa kishte katër bomba me hidrogjen në bord, duke e ekspozuar ishullin dhe disa pastrues nga Grenlanda ndaj rrezatimeve bërthamore. Në vitet 1990 shpërtheu një skandal kur u mësua se SHBA-të kishin fshehur armë bërthamore në Grenlandë, pavarësisht ligjeve të Danimarkës që nuk lejonin mbajtjen e armëve të tilla në territorin e vendit.

Edhe pse interesi i Trump-it për të blerë Grenlandën është refuzuar në masë dhe është marrë me tallje, ai nuk duhet të shqetësohet shumë për pozicionimin gjeopolitik të SHBA-ve kundër Rusisë në Grenlandë. Duke qenë vend i vogël, Danimarka varet shumë nga mbështetja amerikane për të mbrojtur 43 mijë kilometrat e brigjeve të ishullit nga Rusia. Kjo varësi do të thotë që politika e jashtme e Danimarkës përshtatet me interesat e Amerikës, që nga lejimi i bazave ajrore me armë bërthamore, e deri te mbështetja e pushtimeve amerikane në Afganistan dhe Irak.

Sado e pamenduar dhe e tmerrshme të duket oferta e Trump-it, kur ai të vizitojë Danimarkën në shtator, presidentja daneze, Mette Frediksen, me siguri që do të ndjekë traditën e do ta presë presidentin amerikan me të gjitha nderimet.

Grenlanda nuk do të shitet, por SHBA-të do të vazhdojnë të kenë privilegje në të gjithë ishullin. Nuk është për t’u habitur që banorët e Grenlandës presin me padurim ditën kur të mos jenë më si mall këmbimi midis Danimarkës dhe SHBA-ve.

Mikkel Rosengaard, CNN

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA