Këtë të diel, ushtria amerikane realizoi testimin e parë të një predhe që nuk do t’i ishte lejuar po të ishte ende pjesë e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme.

Pasi u tërhoq nga kjo marrëveshje, SHBA bëri testimin e parë të një rakete të re, gjë që e ka bërë Rusinë dhe Kinën të shprehin shqetësim se SHBA po ndez një tjetër garë armatimesh, siç ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë.

Rusia deklaroi se “SHBA po shtron udhën për të krijuar tensione ushtarake”, ndërsa Kina tha se “veprimet amerikane mund të shkaktojnë një tjetër garë armatimesh, e cila do t’i shtonte gjasat për të pasur konflikte”.

Ekspertët e kontrollit të armatimeve thonë se gara e armatimeve është duke u zhvilluar tashmë, dhe çdo rival do të përpiqet ta konkurrojë SHBA-në “predhë për predhë”.

Ky traktat i vitit 1987 ishte një marrëveshje e Luftës së Ftohtë, midis Uashingtonit dhe Moskës, që solli kufizime në zhvillimin e predhave të lëshuara nga toka me rreze të mesme (500 deri në 5500 km).

Kina, e cila nuk ka qenë pjesë e traktatit, ka zhvilluar predha të tilla për dekada. Kohët e fundit, SHBA e akuzoi Rusinë se edhe ata po e shkelnin marrëveshjen duke zhvilluar predhat Novator 9M729, të cilat NATO i quan SSC-8. Pasi Rusia refuzoi ta ndalonte këtë zhvillim, SHBA premtoi se do të përgjigjej nga ana e saj me predha të reja, një veprim që u mbështet nga NATO.

Pasi u tërhoq nga traktati në fillim të gushtit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, shpjegoi se departamenti i tij do të vazhdonte me zhvillimin e plotë të predhave të lëshuara nga toka. 16 ditë më pas, SHBA testoi predhën e parë të këtij lloji, duke alarmuar jo vetëm Moskën, por edhe Pekinin.

Rusia, e cila e ka lajmëruar SHBA-në vazhdimisht që të mos vendosë predha me rreze të mesme veprimi në Europë, i bëri thirrje amerikanëve që të largohen nga mendësia e Luftës së Ftohtë, ndërkohë që mohon të ketë shkelur traktatin. SHBA, nga ana e saj, ka deklaruar se nuk kanë plane për t’i vendosur këto predha në Europë, por në Paqësor, gjë që do të shqetësonte më shumë Kinën.

.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA