Kur duhen thuajse dy javë nga rikthimi në fushë i përfaqësueses së Kosovës në futboll, entuziazmi që ka përfshirë tifozët është reflektuar dhe në interesimin për bileta. Në më pak se 15 minuta, të gjithë vendet në stadiumin “Fadil Vokrri” janë ezauruar, për ndeshjen zyrtare eliminatore Europianit 2020, që është programuar në 7 Shtator mes Kosovës dhe Çekisë.
Për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm në portalin Tiks.app ka patur probleme me sistemin online të biletave. Ekspertët e teknologjisë në këtë kompani bënë të ditur se janë bërë 1.8 milionë klikime për të provuar të kenë shansin e një vendi në stadiumin e Prishtinës. Por çfarë ndodhi në orët që pasuan…
Një xhiro e jashtëligjshme e biletave ka nisur të qarkullojë në tregun e zi. Në faqe të ndryshme në internet apo në postime në rrjete sociale, një vend për ndeshjen mes Kosovës dhe Çekisë po shitet i shumëfishuar. Një biletë që kushton vetëm 5 euro dhe që është blerë përmes kanaleve zyrtare, tani ofrohet ilegalisht 50 euro.
Kosova merr pjesë për herë të parë në elimiantoret e një Europiani, që prej pranimit zyrtar nga UEFA dhe FIFA.
Top Channel