Mediat amerikane raportojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka diskutuar me ndihmësit e tij, mundësinë e blerjes së Groenlandës nga Danimarka, megjithëse disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë thonë se biseda nuk ishte serioze.
Wall Street Journal raporton se Trump “ka shprehur vazhdimisht interes” për blerjen e Groenlandës, një territor autonom danez.
“Trump ka pyetur këshilltarët nëse SHBA-ja mund të përvetësojë Groenlandën, e vlerësuar si territor me interes për burimet e saj të shumta dhe rëndësinë gjeopolitike dhe sipas dy burimeve, Trump ka kërkuar nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë që të shqyrtojnë idenë,” raportoi Wall Street Journal. Raporti, duke përmendur burime anonime, thotë se disa nga këshilltarët e Trump-it e kanë mbështetur idenë si një veprim të mirë ekonomik, ndërsa “të tjerët e kanë hedhur poshtë atë”.
Groenlanda ka një popullsi prej rreth 56.000 banorësh dhe është një pjesë vetëqeverisëse e Danimarkës. Pushteti vendor merret me punët e brendshme, por politikat e jashtme dhe ato të sigurisë trajtohen në Kopenhagen. Shtetet e Bashkuara e kanë tashmë një bazë ushtarake në Groenlandë. Zyrtarët amerikanë ose danezë nuk e komentuan ndërkohë raportet. Që në vitin 1946, në fakt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën Harry Trumanin, tentuan të blinin ishullin gjigant nga Danimarka për 100 milion dollarë, por marrëveshja u refuzua.
Groenlanda është ishulli më i madh i Tokës. Ishulli i mbuluar në 80% të tij nga akulli, bashkë me Antarktidën, ka dendësinë më të vogël të popullsisë në botë.
SHBA ndërkohë ka blerë Alaskën në vitin 1867 nga perandoria ruse e carëve, me një çmim prej 7.2 milionë dollarësh, në vlerën e sotme, 120 milionë dollarë amerikanë. Trump, i cili tani ndodhet me pushime në klubin e golfit, Bedminster do të qëndrojë në fillim të shtatorit gjatë vizitës në Evropë edhe në Danimarkë. Nuk ka të dhëna, nëse ai do të flasë në Danimarkë për blerjen e ishullit. Më herët Trump ka lëvduar edhe “plazhet fantastike” të Koresë së Veriut, si një vend ideal për apartamente pushimesh.
Top Channel