Boboshtica, fshati që promovoi turizmin në Korçë përmes recetave tradicionale njihet edhe për prodhimin e rakisë së manit.

Tashmë që fruti është pjekur banorët nisin ta mbledhin dhe më pas të prodhojnë rakinë aq të njohur jo vetëm për cilësinë por edhe për vetitë kurative.

Prodhimi i rakisë së manit është kthyer në një festë në këtë fshat ndërsa në çdo banesë kazanët e rakisë janë bërë gati. Tradita e vjetër e prodhimit të kësaj rakie trashëgohet në familjet boboshtare ndërsa prodhimin e saj e realizojnë jo vetëm burrat por edhe gratë.

Në festën e cila organizohet për të dytin vit radhazi nuk kanë munguar turistët dhe vizitorët.

Për kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo, përmes kësaj feste promovohet një prej produkteve të kësaj zone ndërsa ndërtimi i Muzeut të Rakisë do të jetë një tjetër atraksion për turistët që zgjedhin Korccën.

Rakia e manit vazhdon të prodhohet në mënyrë artizanale duke ruajtur vlerat unike të këtij produkti aq shumë të njohur.

 

Top Channel