Zyrtarët e lartë ushtarakë në Rusi, thonë se vendi do të vazhdojë të zhvillojë armë të reja, ndërsa janë përcjellë për në banesën e fundit pesë viktimat e shpërthimit gjatë testimit të një pajisjeje bërthamore.

E përditshmja amerikane, New York Times, tha më 12 gusht, duke cituar zyrtarë amerikanë të inteligjencës, se Rusia duket se ka qenë duke testuar “një lloj të ri rakete bërthamore” dhe se shpërthimi “mund të jetë një nga aksidentet më të këqija bërthamore në rajon pas Çernobilit”. Presidenti Trump po ashtu tha se SHBA, “po mëson shumë nga shpërthimi”.

Duke iu referuar një rakete që dyshohet se ishte duke zhvilluar Rusia, Trump tha se “shpërthimi ka shqetësuar shumë njerëz për ajrin, objektin dhe aspekte tjera”. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi fillimisht se si pasojë e shpërthimit kanë vdekur dy persona dhe gjashtë të tjerë janë plagosur. Por, agjencia bërthamore e kontrolluar nga shteti, Rosatom, ka pranuar se pesë punonjës të saj kanë vdekur, dhe tre janë plagosur.

Shpërthimi u shoqërua me një rritje të shkallës së rrezatimit në Severodvinsk, që gjendet rreth 40 kilometra në lindje të zonës së testimit, por sipas zyrtarëve një gjë e tillë nuk përbën rrezik.

Edhe në të kaluarën, Rusia ka mbajtur të fshehura incidentet e mëdha, duke përfshirë shpërthimin e centralit bërthamor të Çernobilit, asokohe pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA