Kancelarja gjermane, Angela Merkel e mbështet idenë e ofrimit të biletave falas ushtarëve të Bundeswehrit që përdorin trenin në Gjermani.
Iniciativën për bileta falas të trenit për ushtarët e Bundeswehrit e bëri publike ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer (CDU) në deklaratën e saj qeveritare në fund të korrikut. Tani atë e mbështet edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha të hënën në Berlin se kancelarja e përshëndet dhe e mbështet shprehimisht këtë iniciativë.
“Ata janë njerëz, që ditë për ditë janë në shërbim për ne të gjithë, dhe me biletën falas për trenin kemi një mundësi- e kjo nuk duhet të ishte e vetmja – që të tregojmë mirënjohje dhe falënderim”, ka thënë Seibert, sipas agjencisë së lajmeve, dpa.
Por sipas të dhënave të revistës gjermane, “Spiegel” bisedimet mes qeverisë dhe Hekurudhës Gjermane, Deutsche Bahn nuk janë aq të lehta.
Hekurudha dëshiron të mbështesë ushtarët gjermanë me bileta falas vetëm në trenat që nuk shumë prenotime pasagjerësh, dhe që përdoren edhe nga pasagjerët e tjerë me bileta me çmime oferte.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin tha, se bisedimet me Hekurudhën Gjermane, Deutsche Bahn zhvillohen pjesërisht edhe nga vetë ministrja Kramp-Karrenbauer. Iniciativa nuk është e re, bisedimet me Hekurudhën Gjermane zhvillohen që nga fillimi i vitit, shkruan dpa./DW
Top Channel